Avokati Spartak Ngjela ka analizuar sezonin politik, zhvillimet në PD dhe lëvizjen e Sali Berishës në intervistën për Report Tv në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga.
Në komentin e tij, Ngjela thotë se Berisha duhet të provojë shifrat por nuk është pikëpyetja nëse mund të marrë drejtimin e PD, por nëse mund të marrë pushtetin në zgjedhjet e ardhshme. Ky mbetet dyshimi kryesor duke qenë se është shpallur non grata nga SHBA dhe pushtetin nuk e merr dot me dhunë, por vetëm me vota.
“Berisha nuk është rikthyer ende. Kongres me siglën e PD nuk ka bërë. Partitë janë persona juridik. Ky ka bërë një lëvizje populiste, por nuk ka identifikim nga një person juridik sic është PD. Se si do të shkojnë ngjarjet më vonë, nuk e dimë por dicka e dimë me siguri, që është non grata në Amerikë. Këtu nuk flitet e merr apo jo partinë, por e merr apo jo pushtetin. Si e merr pushtetin kur është non grata në Amerikë.
Kërkon t’i tregojë amerikanëve që ka popullin me vete me flamurin kombëtar që ngriti në protestën e fundit. Ju tha amerikanëve që do ta kaloj Shqipërinë në një nacionalizëm antiamerikan. Megjithëse tha do bëj revolucion, nuk pati dot fuqi se është i kërcënuar. Kush të lë të marrësh pushtetin me dhunë. Ai nuk ka strukturë mendore për të ardhur në pushtet”, tha Ngjela.
Sa i përket mungesës së presidentit Ilir Meta në protestën e 7 korrikut, avokati Ngjela tha se të dy kanë konsum politik.
“Berisha e ka konsumin politik edhe nga pushteti i gjatë, por edhe me non gratën. Nuk më ha mendja të mos ketë kërcënime nga nivele të larta të politikës perëndimore”, tha Ngjela.