Mbi 18.000 raste të lisë së majmunëve janë të raportuara në 78 vende të botës, shumica prej tyre në Evropë, tha të mërkurën Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Përhapja e lisë së majmunëve është shpallur emergjencë globale shëndetësore nga OBSH-ja të shtunën, për shkak të rritjes së shpejtë të numrit të rasteve dhe shqetësimeve se mund të bëhet endemike në më shumë vende.
Deri më tani, 98 për qind e rasteve jashtë vendeve në Afrikë ku virusi është endemik janë raportuar tek burrat që kryejnë marrëdhënie seksuale me burra, tha OBSH-ja.
Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, kërkoi nga ky grup që ta reduktojnë numrin e partnerëve seksual.
“Kjo mund të ndalet… Mënyra më e mirë për ta bërë këtë është të zvogëloni rrezikun e ekspozimit”, tha Tedros në një konferencë për media në Gjenevë. “Kjo do të thotë të bësh zgjedhje të sigurta për veten dhe të tjerët”.
Lia e majmunëve është në proces të riemërimit, për të shmangur përdorimin e emrit në mënyrë raciste, tha drejtori i urgjencave të OBSH-së, Mike Ryan.
Agjencia e OKB-së rekomandon vaksinimin për grupet me rrezik të lartë, duke përfshirë punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe burrat që kryejnë marrëdhënie seksuale me burra, të cilët kanë shumë partnerë seksualë.
Ai tha se duhen disa javë pas marrjes së dozës së dytë të vaksinës për t’u mbrojtur plotësisht.
Në shpërthimin e tanishëm, rreth 10 për qind e pacientëve janë shtruar në spital dhe pesë kanë vdekur, të gjithë në Afrikë, tha OBSH-ja.
Lia e majmunëve ka qenë një problem i shëndetit publik i neglizhuar globalisht për dekada në pjesë të Afrikës.
Rreziku i lisë së majmunëve globalisht është i moderuar, me përjashtim të Evropës, ku OBSH-ja e ka vlerësuar atë si të lartë.
Sa është e rrezikshme lia e majmunëve?
Në përgjithësi lia e majmunëve shkakton simptoma të lehta, përfshirë: ethe, dhimbje dhe puçrra në lëkurë të mbushura me qelb. Sipas OBSH-së, njerëzit kryesisht shërohen në një periudhë prej dy deri në katër javë.
Virusin mund ta përhapë çdokush, por shpërthimi aktual jashtë Afrikës është i përqendruar pothuajse vetëm te burrat që kanë marrëdhënie seksuale me burra.
Lia e majmunëve përhapet kryesisht nëpërmjet kontaktit intim – lëkurë më lëkurë – me dikë që ka skuqje aktive, si dhe nëpërmjet kontaktit me rroba të kontaminuara ose në shtrat.
Megjithatë, ajo nuk transmetohet aq lehtë sa virusi SARS-CoV-2, që ka shkaktuar pandeminë COVID-19.
“COVID përhapet përmes rrugëve të frymëmarrjes dhe është shumë infektiv. Ky nuk duket se është rasti me linë e majmunëve”, thotë dr Martin Hirsch nga Spitali i Përgjithshëm në Masaçusets të SHBA-së.
Simptomat e lisë së majmunëve shpesh zhduken vetvetiu brenda javësh./REL/