Presidenti francez Emmanuel Macron është duke u përballur me një situatë makthi ekonomik, ndërkohë që inflacioni në vend është rritur edhe një herë, ndërsa pritshmëritë janë që çmimet e produkteve të rriten sërish.

Miliona familje franceze po goditen rëndë nga kriza e tmerrshme dhe rritjet e kostos së jetesës, situatë kjo që po përfshin gjithë Evropën dhe duke shkaktuar vështirësi në disa nga ekonomitë më të mëdha të kontinentit.

Por situata u përkeqësua në Francë me një rritje të inflacionit përsëri në korrik, në 6.1 për qind nga 5.8 për qind që ishte norma e regjistruar në qershor, sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Statistikave dhe Studimeve Ekonomike me qendër në Paris (INSEE).

Zyra kombëtare franceze e statistikave ia atribuoi këtë rritje një përshpejtimi të çmimeve të shërbimeve në lidhje me periudhën e verës.

Në bazë vjetore, çmimet e ushqimeve u rritën me 6.7 për qind krahasuar me 5.8 për qind një muaj më parë.

Çmimet e mallrave të përpunuara janë në rritje me 2.7 për qind gjatë një viti, kundrejt 2.5 për qind që ishin më parë, ndërsa çmimet e shërbimeve u rritën nga 3.3 për qind në 3.9 për qind nga viti i kaluar.

Por në një shenjë pozitive, çmimi i energjisë ra në korrik, duke qenë tani vetëm 28.7 përqind më i lartë se një vit më parë krahasuar me 33.1 përqind që ishte në qershor.

Kjo rënie i është atribuar çmimeve të derivateve të naftës, të cilat kanë rënë gradualisht në Francë gjatë gjithë këtij muaji.

Pavarësisht kësaj, ekspertët kanë paralajmëruar se çmimet e përgjithshme të produkteve të konsumit të përditshëm ka të ngjarë të vazhdojnë të rriten, të paktën për dy muajt e ardhshëm.
INSEE deklaroi në raportin më të fundit ekonomik se çmimet pritet të vazhdojnë të rriten deri në shtatë për qind në shtator, krahasuar me një vit më parë.

Inflacioni më pas pritet të stabilizohet, duke rënë paksa në 5.5 këtë vit krahasuar me vetëm 1.6 për qind në vitin 2021, sipas ekspertëve.

Duket se ky është edhe vlerësimi i Banque de France, e cila ofroi së fundmi një projeksion të ngjashëm, duke parashikuar që inflacionin të jetë 5.6 për qind këtë vit.

Qeveria e Emmanuel Macron-it po përpiqet dëshpërimisht të shikojë të ardhmen me njëfarë optimizmi me përpjekje për të siguruar që vendi tani po sheh më të keqen e inflacionit.

“Ne jemi në kulmin e inflacionit dhe ai do të fillojë të bjerë në 2023”, tha zëdhënësi Olivier Veran tha javën e kaluar:
Asambleja Kombëtare po analizon marrjen e një sërë masash që synojnë mbrojtjen e miliona francezëve nga çmimet në rritje të artikujve të përditshëm dhe njëra prej tyre është edhe rritja e pagës minimale.

Megjithatë, inflacioni në Francë është ende shumë më i ulët se disa nga vendet fqinje të Bashkimit Evropian, sipas shifrave të fundit nga Eurostat.

Belgjika ka parë rritje të inflacionit në 10.5 për qind në bazë vjetore të ngjashme, me 10 për qind në Spanjë, 8.7 për qind në Austri, 8.5 për qind në Itali dhe 8.2 për qind në Gjermani.

Tani ka gjithashtu shqetësim të veçantë për Gjermaninë ekonomia më e madhe e BE-së, e cila po përgatitet për një mungesë kronike të gazit në muajt e dimrit mes frikës se Rusia do të ndërpresë plotësisht furnizimin përmes gazsjellësit Nord Stream 1.

Në përgjithësi, ekonomia e Eurozonës u rrit shumë më shpejt se sa pritej në tremujorin e dytë të këtij viti, por ekonomistët vazhduan të paralajmërojnë për mundësinë e një recesioni të butë të shkaktuar nga inflacioni gjithnjë e më i lartë dhe problemet e zinxhirit të furnizimit në gjysmën e dytë të këtij viti.