Vijon të ashpërsohet gjithnjë e më shumë përplasja ndërmjet PD-së së Shkodrës dhe grupit të Berishës që me 6 mars mori bashkinë me ndihmën e LSI-së.
Kreu i PD-së së Shkodrës, Xhevded Amuli, ka akuzuar kryebashkiakun Bardh Spahia se po vijon të spastrojë administratën nga përkrahësit e mbështetësit e PD-së.
“Kryetari i Bashkisë Shkodër, Bardh Spahia nuk po ndalet në sulmet kundër demokratëve të vërtetë.
Së fundmi ka shkarkuar nga detyra si drejtues i Qendrës së Zhvillimit një prej aktivistëve dhe kontributorëve të Partisë Demokratike ndër vite, Fatmir Vojvoda.
Fatmir Vojvoda vjen nga një familje e persekutuar nga ish-regjimi komunist dhe gjatë detyrës së tij është shquar për korrektesë me stafin e kësaj qëndre dhe profesionalizëm në shërbim të këtij komuniteti me problematika në planin mendor dhe fizik.
Ky largim vjen në vazhdën e shkarkimeve të demokratëve dhe profesionistëve, pa asnjë motivacion,por për qëllime politike dhe për të plotësuar orekset dhe premtimet elektorale të Koalicionit Shtëpia e Lirisë”, tha Amuli.
Sipas tij, që prej fillimit të mandatit Bardh Spahia ka larguar disa demokratë dhe drejtues të bashkisë Shkodër vetëm me qëllime politike dhe inate personale.
Partia Demokratike,dega Shkodër i bën thirrje Kryeatrit aktual Bardh Spahia që të ndalojë fushatën e shkarkimeve dhe largimeve nga puna të demokratëve të ndershëm të cilët kanë kontribuar ndër vite për fitoren e PD-së në qytetin e Shkodrës.
Politika e ndjekur nga Rithemelimi, Foltorja me këto largime, nuk do asesi bashkimin e demokratëve të ndershëm,por realizimin e politikave dhe objektivave personale të drejtuesve të këtij grupimi politik.