Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, Vehbi Bushati, mbajti sot një konferencë për shtyp mbi zbardhjen e vrasjes së ndodhur në vitin 2016, në Mirditë.

Bushati u shpreh se, “strukturat e Hetimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, bënë të mundur dokumentimin me prova ligjore të ngjarjes së ndodhur më datë 9 shtator 2016, në Rrëshen, ku u vra me armë zjarri shtetasi Saimir Jaku dhe u plagos shtetasi Gjergj Prenga”.

“Si rezultat i të gjitha veprimeve hetimore të kryera dhe bashkëpunimit intensiv me Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminimet laboratorike të provave të sekuestruara në vendngjarje, si dhe marrjes së çdo dëshmie të mundshme me interes për hetimin, vlerësimit të çdo informacioni, për identifikimin e autorit/ëve dhe zbardhjen e ngjarjes, strukturat hetimore të DVP Lezhë zhvilluan operacionin policor të koduar “GJURMA”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit D. K., 40 vjeç, lindur në Kurbin dhe banues në Krujë”, tha Bushati.

“Në kuadër të hetimeve të kryera nga strukturat hetimore të DVP Lezhë, në bashkëpunim me Prokurorinë, bazuar në provat e grumbulluara, Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë nxori urdhër ndalimi për këtë shtetas, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake e municionit””, theksoi Bushati.

“Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, dyshohet se e ka kryer krimin e vrasjes së shtetasit Saimir Jaku, kundrejt pagesës. Porositësit e vrasjes dyshohet të jenë një grup i strukturuar kriminal që vepron në qarkun Lezhë, tashmë të identifikuar dhe nën hetim nga ana e Policisë. Për shkak të cilësisë së hetimit dhe të ruajtjes së sekretit hetimor, nuk mund të bëjmë publike të dhëna të tjera për këtë çështje”, nënvizoi Bushati.

“Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit të ndaluar D. K., në kuadër të operacionit policor “GJURMA”, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 21 aparate celulare dhe 6 mbajtëse të kartave SIM”, theksoi Bushati, i cili shtoi se, “vazhdojnë hetimet për dokumentimin e plotë e ligjor të kësaj ngjarjeje”.

Nga ana tjetër, theksoi Bushati, “strukturat e DVP Lezhë, në koordinim me strukturat hetimore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin, po punojnë intensivisht për zbulimin e dokumentimin ligjor të ngjarjes së rëndë të ndodhur më datë 22 korrik 2022, në Milot”.