Vrasja e ish-kryeministrit japonez Shinzo Abe ka tronditur thellë publikun japonez.
Nën tragjedinë e vrasjes së tij, këtë të dielë japonezët janë drejtuar tek kutitë e votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre.
Vrasësi është arrestuar nga policia dhe deri më tani ka thënë se vrasjen e ka bërë për arsye se Abe i përkiste një grupi fetar që shkatërroi financiarisht nënën e tij.
Autoritetet policore e kanë pranuar se ka pasur shkelje të rënda nga ana e tyre në mbrojtjen e ish-kryeministrit. Ndërkohë, hetimet kanë nxjerrë se vrasja nuk ishte gjaknxehtësi e çastit, por atentatori kishte muaj të tërë që e planifikonte.
Nga hetimet është vërejtur një studim i detajuar i atentatorit për lëvizjet e Abes, deri në çastin kur ka gjetur çastin e përshtatshëm për të kryer atentatin që ka tronditur krejt opinionin publik dhe atë ndërkombëtar.
Abe u qëllua në qytetin perëndimor të Naras, teksa fliste në një aktivitet përpara zgjedhjeve parlamentare.
Policia arrestoi në vendngjarje 41 vjeçarin Yamagami, një ish-marins i papunë, pjesë e forcave të armatosura detare të Japonisë. Ai ka rrëfyer për atentatin në të cilin ka përdorur një armë zjarri të punuar me dorë, sipas policisë.
Yamagami mohoi çdo motiv politik për atentatin, sipas policisë.
Ai përmendi falimentimin e nënës së tij pasi ajo i dhuroi para një organizate fetare të paidentifikuar, me të cilën Abe kishte lidhje të dyshuara, sipas raporteve të mediave japoneze .