Sot, Kryeministri Edi Rama, ishte i pranishëm në takimin e mbajtur në qytetin e Pogradecit, në kuadër të nënshkrimit të Marrëveshjeve për krijimin e shoqërive të reja të Ujësjellësve në bashkitë e qarqeve Gjirokastër, Lezhë, Fier, Elbasan, Lushnje, si pjesë e reformave të ndërmarra për përmirësimin e cilësisë së ujit dhe furnizimit pa ndërprerje në zonat rurale dhe periferike.

Vetëm gjatë muajit qershor u krijuan 3 shoqëritë e para rajonale të ujësjellës-kanalizimeve për Durrësin, Korçë dhe Pogradecin, ndërsa para pak ditësh në Peshkopi u nënshkrua marrëveshja për krijimin e shoqërive të reja në qarqet Dibër dhe Kukës.

Kryeministri Rama në fjalën e tij u shpreh se pas një procesi jo dhe aq të lehtë dhe një diskutimi zinxhir me të gjithë ju, vijim sot në një moment kur bëjmë realitet marrëveshjet, jo të tëra, por një pjese të rëndësishme për t’i hapur rrugën një faze të re të reformës së ujit. Një fazë e cila mund të konsiderohet e vonuar në raport me terrenin, por ishte paevitueshmërisht e zgjatur dhe si rezultat e vonuar, për shkak se nuk ishte një proces që mund të diktohej plotësisht nga lart dhe që mund të zhvillohej si një proces mes një institucioni epror dhe një institucioni vartës. Por, ishte një proces, i cili kishte nevojë për dialog, për ndërveprim mes qeverisë dhe bashkive, kishte nevojë për shumë durim nga të dyja palët dhe për shumë sqarime.

“Prandaj, dhe sot ne nuk jemi në kushtet që të firmosim të gjitha marrëveshjet dhe unë shpresoj që kryetarët e bashkive t’i qëndrojnë fjalës së dhënë në takimin që bëmë së bashku së nuk ka kohë për të humbur më.”, shtoi Kryeministri.

Më tej Rama vijoi: “Mbani mend sot, çfarë po ju them, kjo që ne po bëjmë do të kujtohet si një nga momentet më të rëndësishme të Partisë Socialiste në qeverisjen e këtij vendi në funksion të mbrojtjes së interesit kombëtar, sepse bëhet fjalë për një pasuri që ne e kemi bujarisht të dhënë nga zoti apo nga natyra, që është uji. Dhe që çdo ditë, çdo muaj, çdo vit që kalon, kuptohet sesa të drejtë kanë pasur ata që përpara sesa në të përballeshim me këtë kohë të re ndryshimesh klimaterike thoshin që uji do të jetë nafta e shekullit të 21-të.”