Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në konsultimin publik në kuadër të projektligjit për Amnistinë Fiskale, për të cilën ai tha se ka pasur shumë kritika e madje edhe goditje nën brez, në shumë raste edhe të porositura, që qeveria i ka ndjekur me shumë vëmendje e i ka analizuar.
Kryeministri theksoi se duhej rikujtuar që bota është në luftë dhe Shqipëria është pjesë e kësaj lufte dhe ndryshe nga shumë vende të tjera, Shqipëria ka marrë një vendim me një kosto shumë të lartë, e cila, nëse lufta zgjat përtej një limiti të caktuar, mund të bëhet tërësisht e papërballueshme.
“Ky vendim është që fatura e energjisë e cila sot në tregun ndërkombëtar po i afrohet 500 eurove për megavat, nga 50-60 që ishte para krizës, të mos reflektohet në faturën e energjisë së familjeve dhe biznesit të vogël. Nga dalin këto para? Ndërkohë që ne jemi shumë të vetëdijshëm që paketa jonë e parë e mbështetjes për ata më të prekurit nga inflacioni nuk ka zgjidhur të gjithë hallin, një hall që vazhdon ndërsa paketa ka përfunduar” tha Rama.
Sa i përket projektligjit për amnistinë, Kryeministri sqaroi se ideja për këtë ligj është shumë e vjetër, por tashmë i ka ardhur koha.
“Ideja e amnistisë është një ide shumë e vjetër në Shqipëri, nuk është ide e re dhe asnjëherë nuk është materializuar siҫ duhet nga një presion i caktuar i brendshëm dhe i jashtëm, që besoj ka pasur arsye që sot nuk ekzistojnë më, faktikisht. Shqipëria në atë kohë kur janë provuar amnistitë e tjera nuk ka qenë e strukturuar siҫ është sot, jo se sot strukturimi është tërësor dhe i mjaftueshëm, por se sot Shqipëria ka në vend një sërë strukturash që me efikasitet mund të garantojnë atë që tha eksperti britanik, implementimin.
Ne nuk e kemi menduar sot amnistinë, e kemi menduar që ditën e parë që kemi ardhur në qeveri, 9 vjet të shkuara, por nuk e kemi propozuar as vitin e parë, as të dytin, as të tretin, as të katërtin, as të pestin, as të gjashtin, sepse kemi qenë të vetëdijshëm që ishte një ide, së cilës nuk i kishte ardhur koha, siҫ nuk i kishte ardhur koha as idesë tjetër për ligjin për kanabisin mjekësor.
Propozimin e parë e kemi bërë pasi na ra një gjë më e madhe më kokë si tërmeti dhe natyrisht e tha edhe miku ynë nga Britania e Madhe, qeveritë kur angazhohen për një amnisti, angazhohen në funksion të thithjes së parasë dhe nxjerrjes së parasë nga e zeza në të bardhë”, shtoi Kryeministri.
Më tej Rama iu përgjigj kritikave të partnerëve ndërkombëtarë, duke kujtuar se ka në thelb të qeverisjes së tij respektin reciprok me aktorët ndërkombëtarë.
“Dua tu them se respekti reciprok është A-ja e punës sime në funksion të drejtimit të qeverisë së Shqipërisë dhe me respekt mund të bëhet çdo kundërshti dhe të refuzohet çdo ide, por ta trajtosh Shqipërinë si një vend me bisht ndërkohë që amnistia është bërë dhe vazhdon të bëhet në mënyrë të rregullt pa asnjë polemikë në të gjitha vendet që na japin mësime, kjo nuk është asgjë e drejtë, asgjë e duhur. Kjo nuk është asgjëja që çmon respektin që gati, gati ka Shqipëria pa kushte ndaj partnerëve të saj”, tha Kryeministri Rama.
Duke përmendur se procesi i këtij ligji ka zgjatur 3 vite, pasi u pengua edhe nga periudha e tërmetit, Rama tha se shtyrja për këtë projektligj erdhi edhe nga argumentet që u dhanë, pasi sistemi ligjor kundër pastrimit të parave nuk ishte ende e ngritur, as strukturat e reja në drejtësi nuk ishte ende të ngritura, si dhe as procesi i fiskalizimit nuk ishte i ngritur siҫ është sot, duke shtuar se “të çohen dhoma tregtie me flamurë te vendeve partnerë dhe të bëjnë fletërrufe për këtë iniciativë të Shqipërisë është mungesë respekti për Shqipërinë për të pasur ambicien e saj. Nuk ka asgjë tjetër, sepse institucione financiare mund të kenë kundërshtitë e tyre legjitime, institucione të luftës kundër krimit, kundër pastrimit të parave mund të kenë kundërshti, por dhoma tregtie, hajde ma nxirrni një biznesmen në Shqipëri që të çohet dhe të thotë nuk duhet amnistia”.
Kryeministri theksoi se shqiptarët janë sot pjesë të motorëve të ekonomisë në disa vende të Europës, të cilët janë paguar në të zezë nga pronarët e tyre europianë. Megjithatë, Rama theksoi se ky ligj është shumë më i shtërnguar krahasuar me amnistitë e bëra nga vendet e tjera të BE-së e më tej, si dhe garantoi se nëse personat që përfitojnë nga amnistia do të kryejnë veprime të paligjshme, paratë do t’u sekuestrohen menjëherë.