Segmenti i dytë i “Shtegut Bregdetar të Jugut” është ai që nis nga plazhi i Livadhit në fshatin kodrinor të Pilurit, ku ndërthuren mes njëra-tjetrës e tashmja dhe e kaluara.
Këshilli i Qarkut Vlorë ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga ky segment i dytë i këtij shtegu, i mundësuar nga programi për Zhvillimin e Qëndrueshëm Rural SRD nga GIZ Albania.
“Copëza të shkurtra të shtegut të shtruara me kalldrëm tregojnë se dikur kjo rrugë ka qenë shumë e rëndësishme për banorët lokal. Rrugëtimi në këtë segment do t’ju dërgojë midis ullinjve qindra vjeçarë, kodrinave me aromën e çajit të malit, sherebelit, rigonit, burimeve të uji, kanaleve vaditëse dhe shtigjeve malore”, theksoi Këshilli i qarkut Vlorë.
Herë pas here shtegu ndërpritet shkurtimisht nga pjesë të asfaltuara apo struktura moderne prej betoni, për t’i lënë sërish vendin kishave të rrënuara, mureve shekullorë dhe shtëpive me çati me tjegulla të kuqe.
Këshilli i Qarkut Vlorë këshillon të pasionuarit pas ngjitjeve që kur ngjiten gjithmonë të kujtohen të ndalojnë për të shijuar pamjen e brigjeve edhe blusë qiellore të detit Jon.