Në muajin korrik do të nisi puna për 7 godina arsimore në bashkinë e Tiranës, 4 prej të cilave do të ndërtohen nga e para ndërsa pjesa tjetër do të rikonstruktohet.

Godinat do të rindërtohen dhe rikonstruktohen për shkak të dëmtimeve që la tërmeti i nëntorit të 2019.

“Nga fillimi do të ndërtohen Emin Duraku, Musine Kokalari, palestra e Asim Vokshit dhe Xhezmi Delli. Rikonstruksion për kopshti 41, 26 Nëntori dhe Myslim Keta. Punimet do nisin në fund të korrikut, se presim zbardhjen e lejeve javës tjetër. Rikonstruksioni dhe rindërtimi do ndodhë për shkak të dëmtimeve të tërmetit të nëntorit të vitit 2019”, tha Flavia Furriku, Përgjegjëse e Sektorit të Zbatimit të Projekteve.

Punimet e shkollave pritet që të përfundojnë brenda 10 muajve dhe do të ofrojnë kapacitete më të mëdha dhe kushte më të mira për nxënësit.

Objektet arsimore janë sipas standardeve eruropiane, me kapacitete më të mëdha, duke përfshirë sistemin e ngrohjes, palestra, biblioteka etj.

Gjatë fundjavave në verë, kur fluksi i makinave bie, Bashkia e Tiranës ka autorizuar lejimin e mjeteve të tonazhit të rënde nga ora 18:00-07:00 për të përfunduar punimet në kantieret e hapura ne kryeqytet.

Në shtator priten të hapen 12 shkolla ndërsa në 7 vitet e fundit, Tiranës i janë shtuar 50-60 shkolla.