Nga Jakin Marena/

Që denoncimet e LSI përmes Monika Kryemadhit në krye të herës dhe të “ratifikuara” nga presidenti në detyrë Ilir Meta më pas, janë marrë në masën 100 përqind parasysh nga drejtësia e re dhe kanë shërbyer si bazë për hetime, është një fakt që askush s’mund ta mohojë.

Dhe mirë ka bërë SPAK, pasi çdo akuzë e ngritur qoftë nga politika, qoftë nga media, qoftë dhe nga organizata joqeveritare, duhet të hetohet deri në fund. Madje dhe me kryesisht, pavarësisht se nga kush artikulohen apo ngrihen këto akuza dhe vijnë këto padi. Dhe këtu Meta e Kryemadhi nuk bëjnë përjashtim, kanë gjithë të drejtën e Zotit të bëjnë padi. Eshtë kontribut.

Por nuk mund të bëjmë sikur nuk e dimë, që ata janë bashkëshortë, bashkëdrejtues dhe “gojët e liga” thonë se janë dhe bashkëpronarë të LSI-së, partisë së dytë opozitare në vend. Ky është fakt.

Kryetarja e LSI, përtej faktit se pranon gabimin e gremisjes së partisë që mori nga Meta me 20 deputetë dhe e katandisi me 4 deputetë, doli sërish sot para mediave me të njejtin qëllim e duke paraqitur madje dhe dokumente: denoncimin e skemës së abuzimit me inceneratorët.

Ndonëse na u desh shumë kohë për t’u orientuar nëse ishte një takim me të rinjtë LRI apo një dalje para mediave, nga fundi morëm vesh se ishin përfaqësues të mediave ata që i bënin pyetje “ndihmëse” Kryemadhit, kryetarja e LSI u mundua të shpjegojë skemën se si dy mbi 95 vjeçarë kishin blerë një biznes prej 30 milionë eurosh dhe sipas saj kishin bërë pastrim parash.

Nuk jemi ekspertë për të hyrë në detaje të këtyre aferave të denoncuara nga ana e kryetares së LSI, mund të jenë dhe të vërteta një pjesë e këtyre skemave abuzimi, pavarësisht ngjyrimit politik që u jepet nga Kryemadhi, apo “atashimi” që i bëhet kundërshtarit politik Edi Rama për ta përzierë si gjithnjë në këto afera por dhe për t’ia humbur në fakt qëllimin final denoncimit. Ndonëse është shumë e vështirë të besohet se kreu i qeverisë, çdo kryetar qeverie madje, mund të ketë kohën e duhur 24 në 24 orë për t’u marrë me këto teknicialitete, sado teknicien të jetë ai. Them s’ka kohë fizike, pasi kryeministri bën drejtimin politik të qeverisë dhe janë strukturat që burojnë prej qeverisë apo dhe ato pavarura që merren me këto gjëra. Këtu bën pjesë dhe drejtësia.

Si joekspertë që jemi, ajo që kuptojmë nga të gjithë këto denoncime të Kryemadhit por dhe të Metës, bashkëshortit të saj, aktualisht President i Republikës, dhe pas 24 korrikut kryetar i LSI, është se skema na duket e ngjashme, si ajo e inceneratorëve ashtu dhe ajo e kompanisë së inerteve dhe mermerit në Malin e Tomorrit, ku ishte një “peshë” tepër e madhe për t’u “ngritur” nga “pronari” i deridjeshëm i kësaj kompanie, pas të cilit fshihej një politikan shumë i lartë në vend. Të gjithë e dinë zgjidhjen e “fjalëkryqit” të këtij biznesi, dhe emrin e politikanit të lartë, njëherësh dhe zyrtarit shumë të lartë që e zotëron realisht atë. Por askush se përmend emrin e tij dhe ne në ‘respekt’ të atyre që heshtin nuk po ia përmendim emrin, të cilin e kanë të gjithë në majë të gjuhës.

Eshtë e njëjta skemë që funksionon me kompaninë e kromit në Bulqizë, makinat e tonazhit të rëndë të së cilës kanë shkatërruar rrugën e re që lidh Rrëshenin me Klosin e Matit, dhe ku projektuesit nuk e kishin parashikuar një vargan të tillë makinash vetëshkarkuese të tonazhit tej kapacitetit të kësaj rruge. Por ndryshe nga ne, banorët e këtyre zonave nga kalon rruga i vënë emrin e vërtetë pronarit. Pra jo atij në “letra”, por atij të vërtetit fare.

Dhe ajo që na bëri përshtypje, meqë pamë disa ditë më parë njëfarë ngritjeje të nivelit të “guximit” të gazetarëve me pyetjen politike ndaj ministres Xhaçka për bashkëshortin e saj biznesmen këtu e 30 vite dhe përgjigjen e kryeministrit Rama ndaj gazetarit në fjalë, është se nga asnjë prej gazetarëve të vënë përballë Kryemadhit ditën e sotme në daljen e saj para mediave, nuk u dëgjua ndonjë pyetje për skemën e funksionimit të kompanisë së kolaudimit të automjeteve e SGS, e favorizuar nga Meta kur ishte në pushtet. Me sa duket ‘trimërinë’ e kanë ‘ruajtur’ për përballjen me Ramën dhe nuk duan t’i konsumojnë “fishekët” me gjëra të vogla.

Ndaj nuk e dëgjuam një pyetje të tillë nga gazetarët tanë të mbledhur në këtë konferencë, ku përballë kishin Monika Kryemadhin, njeriun më të afërt të Drini Kryemadhit, i cili akuzohet po me dokumenta nga media se kishte përfituar shumë para ndër vite. Madje dhe shpërblime duke kaluar dhe në akuzën e rëndë se pas kësaj kompanie qëndronte vetë familja Meta-Kryemadhi.

Dikush e krahasoi këtë skemë me skemën e ish deputetit të PS Alqi Bllako për incereneratorët dhe pagesën e të atit në vlera të mëdha, megjithëse babai i tij ishte një inxhinier dhe jo mekanik si Drini që paguhej mbi 4 mijë euro. Madje s’kishte lidhje me punën e të virit. Një krahasim që s’ka të krahasuar por në respekt të kolegëve po e marrim si dy raste përafërsisht të ngjashme. Pra asnjë gazetar nuk mori “guximin” të pyeste për lidhjen që kishte familja e Kryemadhit dhe Metës me kompaninë e kolaudimit të makinave SGS.

Nuk u pyet as si e komentonte padinë e dërguar po me dokumente në SPAK nga ana e ish deputetit të PD Halit Valteri, i cili akuzon Metën dhe Kryemadhin se kanë shpenzuar njëri 700 mijë euro për lobim në SHBA pa dhënë burimin e të ardhurave, tjetri 300 mijë euro për operacione plastike në San Marino dhe vendeve rrotull tij. Nuk u pyet as se kush ia mbulon shpenzimet e vizitave të shpeshta në çift ose me shpurë në SHBA dhe qëndrimi disa ditë atje, vetëm me “rroga shteti”.

Ndërkohë që denoncimi i ri i Kryemadhit, dhe vendosmëria e saj për ta çuar në SPAK, tregon qartë se ka një siguri se dosja e re për inceneratorët do të merret në dorëzim nga institucioni i lartë i drejtësisë së re dhe do të hetohet me procedurë të përshpejtuar.

Fundja me dosjen e inceneratorëve që dërgoi më parë LSI, dhe tashmë janë në qeli ish ministri i Mjedisit Lefter Koka, i cili në atë kohë ishte përfaqësues i partisë që drejton Kryemadhi dhe ish deputeti i PS Alqi Bllako, dhe ky i ardhur nga përvoja me LSI-në dhe si Sekretar i Përgjithshëm i Presidencës së drejtuar nga Ilir Meta, precedenti se çfarë denoncon LSI menjëherë fillon hetimi nga SPAK, tregon qartë se dhe dosja e re e përgatitur nga Kryemadhi do të gjejë rrugën e hetimit. Madje e pranoi dhe vetë Kryemadhi se denoncimi i parë ishte marrë nga SPAK pa ndryshime, madje “copy paste” sipas nga dokumentat e depozituara nga zyrtarët e LSI te institucioni i ri i hetimit. Dhe jemi të prirur ta besojmë se SPAK nuk cedon nga ato që i dërgon LSI, i merr të mirëqena dhe fillon menjëherë hetimin, pa hezitim.

Por kur të mbarojë furnizimi nga LSI i SPAK, mbetet mister se me çfarë do të merret ky institucion. Sepse dhe “arkat e peshkut” mbaruan! Tani problemi është se partnerët tanë ndërkombëtarë por dhe qytetarët shqiptarë kërkojnë “peshq të mëdhenj” në “tavën” e drejtësisë së re, ndryshe pandëshkueshmëria e zyrtarëve të lartë nuk ka ndodhur për ta, mbetet iluzion.

Dhe këtë kontekst, një problem madhor shtrohet në ambientet qytetare shqiptare: Kush do të hetojë vetë abuzimet e bëra nga Kryemadhi, Meta dhe familjarët e tyre, për të cilat janë ngritur akuza dhe një pjesë e tyre vërtitet sa në një cep në cepin tjetër të drejtësisë së re?

A do të ketë SPAK guximin të hetojë presidentin aktual dhe krytetaren e LSI, qoftë dhe për t’i liruar nga akuzat dhe shpallur të pafajshëm? Zyrtarisht themi, që të kenë në dorë një dokument ku të thonë se ‘e fituam çështjen me një rezultat të thellë’. Por të hetohen ama, të qetësohen ata si dhe shqiptarët!

Mbetet të shpresojmë të paktën te drejtësia e re që të bëjë drejtësi ndonjëherë. Sëpaku të mos jetë i “sygjestionuar” SPAK nga dorështrëngimi i kortezisë i ambasadores amerikane Yuri Kim me Ilir Metën nëpër festa zyrtare dhe thellësisht protokollare, sikurse u sygjestionua një pjesë e mediave në ceremoninë e përvjetorit të festës kombëtare të SHBA, që i dha udhë një interpretimi mjaft “optimist” të ardhmes së tij politike, në raport me ndërkombëtarët.

Sa për guximin e SPAK për të hetuar dhe dërguar të akuzuarit për korrupsion e kemi parë gjatë gjithë kësaj kohe. Guxon, të paktën godet në njërën anë, por ama godet. Të shohim nëse do të jetë në të njejtën gjatësi vale për të goditur dhe andej nga “shokët e lagjes”. Ne presim, kemi pritur tash 70 e ca vite për drejtësi, s’na gjen gjë të presim dhe pak, të paktën deri pas dhjetorit të këtij viti.