Një link është vënë në dispozicion të qytetarëve për të marrë në kohë reale çdo informacion mbi veprimtarinë e institucionit të Komisionit të Prokurimit Publik derisa të kthehet sistemi nga AKSHI. Kjo vjen pas sulmit të hakerave në platformat qeveritare.

Në linkun në vijim: https://drive.google.com/drive/folders/18aLhwtWpdiRP-mKuVAyjiqpRSAwsZCxo?usp=sharing, do të gjeni të gjithë veprimtarinë e Komisionit të Prokurimit Publik nga data 18.07.2022 dhe deri në zgjidhjen e situatës nga ana e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

Shërbimet publike online dhe faqet qeveritare janë mbyllur përkohësisht për shkak të një sulmi kriminal kibernetik të sinkronizuar dhe të sofistikuar nga jashtë Shqipërisë. Burime për Report Tv bënë me dije se ka dyshime që sulmi mund të jetë rus. Kjo vjen pas sanksioneve që ka vendosur Shqipëria ndaj Rusisë dhe qëndrimin që mban për luftën në Ukrainë.

Njoftimi i plotë

Për shkak se Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit është detyruar që të mbyllë përkohësisht aksesin e shërbimeve publike online dhe faqeve të tjera qeveritare si rezultat i një sulmi kibernetik të këtyre platformave, Komisioni i Prokurimit Publik në zbatim ligjit nr. 162/2020, datë 23.12.2020 “Për prokurimin publik”, ligjit nr. 44/2015, datë 30.04.2015 “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë” si edhe Vendimit nr. 766, datë 13.10.2021 të Komisionit të Prokurimit Publik “Për miratimin e rregullave për organizimin dhe funksionimin e Komisionit të Prokurimit Publik” njofton autoritetet kontraktore, operatorët ekonomikë dhe subjektet e interesuara, se është mirtuar Urdhëri nr.338 datë 18.7.2022.

Gjatë kësaj periudhe Komisioni, njofton si më poshtë vijon:

Komisioni i Prokurimit Publik vijon veprimtarinë e tij sipas parashikimeve të neneve 109 e vijues të ligjit nr. 162/2020, datë 23.12.2020 “Për prokurimin publik”.

I gjithë informacioni i veprimtarisë së Komisionit të Prokurimit Publik do të vijojë të publikohet në Këndin e Njoftimeve Publike pranë godinës së këtij institucioni në adresën: Pallati i Kongreseve, Kati I, Tiranë, si edhe në gazetat me tirazh kombëtar dhe në median elektronike.

Komisioni i Prokurimit Publik njofton, se për të gjitha ankesat e paraqitura në rrugë shkresore krahas njoftimit të bërë sipas pikës 2 të përmendur më sipër, njëkohësisht do të njoftojë autoritetet kontraktore, pjesë e procesit të ankimimit nëpërmjet telefonit dhe/ose postës elektronike.

Për çdo formular për publikim sipas parashikimeve të nenit 112 të ligjit nr. 162/2020, datë 23.12.2020 “Për prokurimin publik”, do të njoftojë subjektet e interesuara nëpërmjet nëpërmjet telefonit dhe/ose postës elektronike.

Për çdo informacion të kontaktoni në numrin e tel: +355(0)42281851 dhe adresën elektronike: [email protected].

Operatorët ekonomikë të cilët do të ushtrojnë të drejtën e ankimimit sipas parashikimeve të nenit 111 dhe 112 të Ligjit nr. 162/2020, datë 23.12.2020 “Për prokurimin publik”, duhet t’i drejtohen Komisionit të Prokurimit Publik me qëllim marrjen e faturës për ankimim në adresën elektronike: [email protected]

Në linkun në vijim: https://drive.google.com/drive/folders/18aLhwtWpdiRP-mKuVAyjiqpRSAwsZCxo?usp=sharing, do të gjeni të gjithë veprimtarinë e Komisionit të Prokurimit Publik nga data 18.07.2022 dhe deri në zgjidhjen e situatës nga ana e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

Komisioni i Prokurimit Publik shpreh gatishmërinë e plotë për asitencë dhe informacion për cdo subjekt të interesuar në kuadër të procesit të dorëzimit dhe shqyrtimit të ankesave.