Nga Astrit Patozi/
Po të jetë për mua, dëshirën e kam qê Ilir Meta të mos ketë qenë bashkëpunëtor i Sigirimit të Shtetit, por i gjithë ky debat të jetë fryt i një gabimi të qëllimshëm ose jo me dosjen e tij. Jo se më dhimbset ai, pasi mendoj se ka pasur mundësi të bëjë plot gjëma të tjera gjatë këtyre 30 vjetëve, për të cilat, jo vetëm nuk është ndëshkuar kurrë, por përkundrazi është graduar dhe lartësuar në vijimësi.
Por mendoj se do të ishte shumë e rëndë për shoqërinë shqiptare të mësonte papritur se njeriun, të cilin në kaq shumë vite e kemi pasur President, Kryeministër, Kryetar Parlamenti dhe gjithçka tjetër, si askush përpara tij, që nga koha e Skënderbeut, Ismail Qemalit dhe e Enver Hoxhës, ta ketë nisur rrugëtimin e tij politik si spun i rëndomtë i shokëve të klasës.
Do të ishte poshtëruese për gjithë këto dekada rraskapitëse, edhe pse shtetit gjysëm demokratik dhe gjysëm qesharak, që kemi ndërtuar, i pikon çatia edhe në vrima të tjera. Ndaj edhe dua në vetvete që mundësisht të provohet e kundërta. Por dëshira ime është një gjë, ndërsa e vërteta një gjë tjetër.
Reagimin e vetë Ilir Metës, megjithë rezervat dhe boshllëqet e mëdha që kërcasin dhe të bëjnë të dyshosh edhe më shumë se ditën e parë, kur ai zgjodhi të heshtte, i gjej brenda natyrës së tij dhe po ashtu në përputhje me ligjësitë e një politike të njohur dhe kronike, që mbi të gjitha nuk ka asnjë respekt për faktet.
Tek e fundit, ndoshta atij nuk i mbeteshin shumë zgjidhje, ndaj edhe duhet mirëkuptuar. Por edhe pse tema është e goxha e nxehtë dhe sensitive, prapëseprapë nuk e shikoj sot si njeri në hall të akuzuarin e ditës me incialet I.M.
Pas 11 vjetësh, mendoj se Ilir Meta ka arritur të ketë shumë më tepër mbështetës publikë, se sa kishte në vitin 2011, kur u shfaq ajo videoja e famshme me të ndjerin Dritan Prifti. (Ambasadori Nesho ndoshta do të na e shpjegonte këtë fenomen me efektet shpërthyese të popullit të 2 marsit).
Dhe të mendosh që ajo pavarësisht përmbajtjes së rëndë dhe kompromentuese, ishte gjithësesi një bisedë e përgjuar. Kurse tani jemi përballë një dokumenti shtetëror. Dhe pyetja është se çfarë duhet të bëjë dikush më shumë që të konsiderohet të paktën i dyshuar nga një kategori e caktuar politiko-mediatike. Mbase të vrasë dikë live tek sheshi “Skënderbej”, në prani të më shumë se 100 dëshmitarëve, me kushtin që asnjëri prej tyre të mos i përkasë partive të lirisë.
Në këtë kuptim, Ilir Meta duket se ka bërë hapa përpara gjatë këtij dhjetëvjeçari, jo vetëm se i ka shtuar karrierës së vet dy nga postet më të rëndësishme të shtetit, por sidomos se i janë bërë më të shumtë “guximtarët”, të cilët janë gati të mos skuqen e zverdhen fare duke e marrë përsipër atë edhe për skutat më të errëta të jetës së tij. Për të cilat mbase edhe njerëzit më të afërt të familjes do të hezitonin, sepse historia famëkeqe e Sigurimit të Shtetit është e mbushur plot me inçeste te tmerrshme politike.
Këta po që më dhimbsen, natyrisht, jo të gjithë me të njëjtën masë, sepse e ka secili një koeficient të vetin në varësi të hallit apo interesit të momentit, por ndoshta edhe të kapacitetit për të gëlltitur turpin me bukë, duke i thënë ik tutje çdo nocioni të logjikës më elementare, që i dallon qeniet e qytetëruara nga të tjerat.
Jo Ilir Meta, por ata janë të pashpresë dhe me ta nuk ka asnjë vlerë debati. Se në fund fare pasi të të kenë lodhur me kapërcimet psikoanalitike mund të të thonë që këta po vjedhin me inceneratorët dhe ti mbetesh pa tekst. Dhe është e kotë t’ua kthesh, që jo vetëm me inceneratorët, por në çdo qelizë të jetës ekonomike të vendit rilindasit e Edi Ramës janë duke bërë kërdinë, madje tani më shumë se dikur, ngaqë janë edhe vetëm, pa aleatët e dikurshëm të LSI-së.
Sepse kjo nuk na jep imunitet asnjërit prej nesh që të mos na quhen krimet apo poshtërsitë e sotme apo të dikurshme, aq më tepër ato që mund t’i kemi kryer shumë kohë përpara se Ilir Meta me disa heronj të tjerë të na sillte demokracinë në Shqipëri, këtu e 32 vjet të shkuara.