Nga Ilir Yzeiri

Protesta e 7 korrikut po paraqitet nga idhtarët e Sali Berishës që kanë uzurpuar PD-në, deri në një vendim përfundimtar të gjykatës se cilat ndryshime statutuore do të regjistrojë, si një kauzë e opozitës.

Prej shumë kohësh e dëgjoj këtë klithmë gati ankuese se opozita nuk paragjykohet, se në opozitë të gjithë kanë të drejtë, opozita vetë si institucion është shpresa, është e vërteta e marrëzi të tilla.

Të gjithë ata që ndjekin Sali Berishën, në fakt, nuk janë opozita e këtij vendi, ata janë kundërshtarët dhe armiqtë e deklaruar të Edi Ramës dhe ka kohë që e kanë shpallur veten si një sekt që kanë vendosur të sakrifikojnë identitetin e tyre për t’u vënë në shërbim të mjerimit ekzistencial të Sali Berishës. Ky i fundit, pasi u shpall non grata familjarisht nga SHBA-të, rrëmbeu kauzën e opozitës duke sulmuar me qysqi e hekur, me dinamit e zjarr godinën e PD-së dhe u vu në krye të një pjesë të PD-së për t’u treguar SHBA-ve se ai nuk është një kufomë e pakallur politike, por një zjarrvënës që pretendon se ka mbështetës nga ata që thirren « talebanë » të demokracisë dhe fanatikë të tij.

Protgonizmi i tij në këtë vapë të pazakontë është qesharak dhe i pashpresë. Kjo është e njëmijta provë e dëshpëruar për t’u faktorizuar politikisht që ka dështuar edhe atëhere kur opozita ishte e bashkuar e plotë dhe në të drejtën e saj.

Ajo që të bën përshtypje këtë radhë është edhe narrativa e disa personazheve që vijnë nga zonat e errëta të frustrimit që u ka bërë Edi Rama dhe i janë ngjeshur në sqetullën me djersë Sali Berishës për ta bërë më të dukshëm kaosin mental dhe emocional në të cilin ndodhen.

E gjithë kjo protestë të kujton lëvizjet radikale islamike në Iran apo Afganistan, ato lëvizje që kanë shkatërruar sistemet e brishta laike në ato vende. Të kujton thirrjet e tyre të dëshpëruara që kërkojnë gjak dhe dhunë. Revolucionin islamik të Iranit e pat mbështetur dhe babai shpirtëror i Sali Berishës, Enver Hoxha.

Mirëpo, siç thonë të vjetrit, nuk mund të kalohet dy herë në të njëjtin ujë, sepse ai rrjedh.

Drama e madhe në këtë kohë nuk është ajo që do të ndodhë nesër. Ajo do të jetë një karikaturë e atyre protestave të lodhshme që kemi parë në gjithë këta vjet. Drama e madhe është dëshpërimi që të mbërthen kur sheh se opozita reale në këtë vend ka mbaruar, se sot është vështirë edhe të mendosh që mund të lindë një forcë opozitare e vërtetë që të përfaqësojë anën tjetër të qeverisjes.

Nesër Sali Berisha del në shesh që t’i zgjasë jetën politike Edi Ramës.

Fat të madh politik paska pasur Edi Rama !!!