Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez u ka kërkuar ministrave të tij dhe punonjësve të sektorit privat që të shmangin përdorimin e kravatës për të shpenzuar më pak energji elektrike. Ai kishte dashur ta vinte në dukje ‘kërkesën’ duke shkuar madje dhe vetë pa kravatë.

Kryeministri Sanchez donte të dërgonte një mesazh për kursimin e energjisë, pasi mos mbajtja e kravatës do t’i mundësonte njerëzit të jenë më freskët dhe për rrjedhojë do të uleshin kostot e energjisë për shkak të mos përdorimit të kondicionerit.

“Dhe para se të mbaroj, do të doja të shihni se nuk kam kravatë, kjo do të thotë se të gjithë mund të kursejmë edhe nga pikëpamja energjetike dhe i kam kërkuar ministrave, të gjithë zyrtarëve publikë dhe sektorit privat, nëse nuk e kanë bërë tashmë, që kur nuk është e nevojshme, të mos mbajnë kravatë, sepse në këtë mënyrë do të përballemi edhe me kursimin e energjisë që është aq i nevojshëm në vendin tonë”, tha kryeministri.