Ukraina, Rusia, Turqia dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres pritet të nënshkruajnë një marrëveshje ditën e sotme për të rifilluar eksportet e grurit të Ukrainës në Detin e Zi. Lajmi është bërë me dije nga zyra e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.

Moska dhe Kievi janë të dyja furnizuesit kryesorë globalë të grurit, por pushtimi i Ukrainës ka ndikuar në rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe ka nxitur një krizë ndërkombëtare ushqimore.

Lufta ka bllokuar eksportet e Ukrainës, duke lënë disa anije të bllokuara dhe rreth 20 milionë ton drithë të mbërthyer në kullë silosi në portin e Odesës.

Ankaraja tha se një marrëveshje e përgjithshme u arrit mbi një plan të udhëhequr nga OKB gjatë bisedimeve në Stamboll javën e kaluar dhe se tani do të vihej me shkrim nga palët.

Detajet e marrëveshjes nuk dihen për momentin. Marrëveshja do të shkruhet të premten në zyrat e Pallatit Dolmabahçe, tha zyra e Erdogan.