Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti homologun e Lundit, Philip Sandberg, me të cilin diskutoi për krijimin e urave të reja të bashkëpunimit me të rinjtë e të dyja qyteteve, sidomos gjatë këtihj viti kur Tirana mban titullin e Kryeqytetit Evropian të Rinisë.

“Është kënaqësi që të ndajmë eksperiencën tonë për organizimet e këtij viti, si dhe të shohim se si të çojmë përpara shumë prej kauzave rinore dhe punëve të mira që bëhen në qytete si Lundi. E informova kryetarin sesi qyteti i Tiranës ka financuar një pafundësi aktivitetesh rinore – deri tani kanë ndodhur rreth 500 aktivitete dhe deri në fund të vitit kemi edhe 500 të tjera – por, titulli Kryeqyteti Europian i Rinisë nuk është vetëm një titull simbolik. Në Këshillin Bashkiak kemi shumë të rinj të angazhuar dhe duam që kjo të vazhdojë edhe me përfaqësimin në Parlament apo institucionet e tjera”, nënvizoi Veliaj.

Kryebashkiaku tha se Tirana dhe të rinjtë e saj kanë shumë interes për të mësuar nga Lundi, që cilësohet si “Kryeqyteti i Evropës” për digjitalizimin.

“Lundi vërtet është një nga qytetet më të rëndësishme të Suedisë, por është gjithashtu Kryeqytet i Europës për digjitalizimin. Është kënaqësi e veçantë të kemi grupe të rinjsh që kanë mundësi të takojnë njëri-tjetrin, të krijojnë disa ura bashkëpunimi që zgjasin sa një jetë. Më vjen shumë mirë që edhe ne po bëjmë hapa përpara në fushën e digjitalizimit, sidomos për fëmijët dhe të rinjtë, të cilët po trajnohen te qendra TUMO”, u shpreh Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Lundit, Philip Sandberg tha se ai dhe grupi i të rinjve që e shoqërojnë, kanë ardhur në Tiranë për të mësuar më shumë nga Kryeqyteti Evropian i Rinisë.

“Ne jemi një qytet që e duam rininë dhe të rinjtë dhe jemi shumë të impresionuar të shohim se si ju po punoni si Kryeqyteti Europian i Rinisë. Duam të mësojmë nga Tirana, por gjithashtu edhe të ndajmë eksperiencat tona. Rinia jonë është e ardhmja e vendeve tona. Ne duhet të investojmë për të”, theksoi Sandberg.