Gjetja e bashkëpunimeve të reja ishte fokusi i vizitës së fundit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në Hanover dhe Bremen të Gjermanisë. Në këtë vizitë të shkurtër, Veliaj u takua me zyrtarë të lartë të Rajonit të Hanoverit dhe anëtarë të Landtag-ut.
Pas takimeve me Maximilian Schmidt, anëtar i Landtagut të Hanoverit, dhe Presidentin e Rajonit të Hanoverit, Steffen Krach, Veliaj shkruan në Twitter se qëndrimi i tyre është i qartë për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit në BE.
“Faleminderit për mikpritjen miku im, Max Schmidt – anëtar i Landtagut të Hanoverit dhe një europian i palëkundur! Qëndrimi i tij është i qartë: BE-ja do të jetë e plotë vetëm me anëtarësimin e vendeve të Ballkanit.
Një vizitë e shkurtër në Gjermani, për t’u takuar me miq të mirë dhe për të kërkuar bashkëpunime të reja në Hanover dhe Bremen. Shumë i lumtur që takova edhe Presidentin e Rajonit të Hanoverit, Steffen Krach, dhe skuadrën e tij të mrekullueshme. Ju drejtoni me kreativitet dhe pasion!”, shkruan Veliaj.