Federata do të mbështesë furnizuesin me gaz Uniper , ashtu sikurse ndërhyri gjatë pandemisë Corona në mbështetje të Lufthansës dhe gjatë krizës financiare për të ndihmuar Commerzbank. Por edhe qytetarët do të ndihmohen.
‘Uniper’ ka rëndësi të madhe për furnizimin me energji të qytetarëve dhe të sipërmarrjeve, tha kancelari Olaf Scholz të premten (22.07) në Berlin dhe konfirmoi, që qeveria dhe koncerni energjetik i rrezikuar Uniper kanë rënë dakord për një paketë ndihme miliardëshe.
Paketa e ndihmës parashikon ndërhyrjen e federatës. Eshtë planifikuar që kjo të kompensohet nga klientët e gazit, pra me rritjen e çmimeve.
Qeveria do të marrë një të tretën e aksioneve të kocernit në krizë. Këtë e bënë të ditur sipërmarrja nga Dyseldorfi dhe koncerni finlandez amë Fortum si dhe kancelari Olaf Scholz pas rreth dy javë bisedimesh. Në bazë të marrëveshjes, federata do të mbulojë 30 përqind në kuadër të rritjes së kapitalit, që është i hapur vetëm për qeverinë gjermane. Për të marrë pjesë në konferencën e shtypit kancelari ndërpreu pushimet e verës.
Uniper pati aplikuar për ndihma nga shteti. Ndërmarrjes i duhet të blejë gaz me çmim të lartë në treg për shkak të pakësimit të furnizimeve ruse përmes tubacionit në Detin Baltik Nord Stream 1, në mënyrë që të jetë në gjendje t’u përmbahet kontratave. Kjo i ka krijuar probleme likiditeti koncernit.
Sipas kancelarit dhe sipërmarrjes federata do të blejë aksione nga Uniper në vlerën 1,70 euro. Kursi në bursë në fakt është 10 euro, tha Scholz. Kjo blerje e aksioneve do të çojë në rritjen e kapitalit në 267 milionë euro.
Më tej kancelari tha, se importuesit e gazit çmimet e larta të blerjes duke filluar nga shtatori ose tetori mund t’i kompensojnë me rritjen e çmimit për klientët e tyre. Për këtë arsye qeveria në fillim të vitit 2023 do të reformojë sistemin e mbështetjes së qytetarëve në nevojë në mënyrë që të mund të përballojnë qiratë dhe kostot për energjinë.
Masat e dakordësua Scholz i quajti „një kontribut substancial për shpëtimin e sipërmarrjes”. Uniper tani mund të „shohë me stabilitet të ardhmen”.
Masat e stabilizimit janë nën premisën e miratimit nga Komisioni i BE-së. Uniper do të organizojë një mbledhje të jashtëzakonshme me aksionerët e vet për të marrë aprovimin e tyre lidhur me këto masa stabilizimi.
Askush nuk do të lihet vetëm
Scholz tha më tej, se ai e sheh Rusinë si një furnizuese të pasigurtë të gazit. Ajo nuk do të bëhet më e sigurtë, sa është tani. Ai bëri të qartë, se Gjermania nuk mund t’i varë më shpresat tek Rusia. „Ndaj ne preferojmë të jemi të sigurtë.” Scholz vuri në dukje masat e marra ndërkohë, për të pakësuar konsumin e gazit. Do të bëjmë ç‘është e mundur, që vendi ta kalojë këtë situatë.
Në sfondin e rritjes së çmimit të energjisë qeveria do t’i lehtësojë qytetarët nga kjo barrë. Në fillim të vitit të ardhshëm do të ketë një reformë të madhe për mbështetjen e qytetarëve me të ardhura të pakta për përballimin e kostove të qirasë së banimit. Ndër të tjera do të zgjerohet rrethi i personave që mund të kenë të drejtën e përfitimit nga ky sistem, tha kancelari. Ai gjithashtu u shpreh për një suplement për kostot e ngrohjes. Duhet parandaluar që ndokush të përballet me situata pa zgjidhje. Kancelari tha: “You ‘ll never walk alone” – askënd nuk do ta lemë vetëm./DW/