157 ditë lufte në Ukrainë. Gjatë orëve të fundit, forcat ruse kanë kryer një sërë sulmesh në Ukrainë përgjatë të gjitha fronteve të konfliktit.
Kievi duket se po reziston. Bombardime sporadike nga trupat e Moskës raportohen edhe në rajonet Sumy dhe Chernihiv. Në Donbass, frontet më aktive mbeten ato të Izyum, me njësitë ruse që përpiqen të thyejnë mbrojtjen e Ukrainës.
Zelensky ka kërkuar, veçanërisht nga SHBA që të njohë Rusinë formalisht si një shtet terrorist.
‘Njohja formale e Rusisë si një shtet terrorist, veçanërisht nga Departamenti i Shtetit i SHBA, është i nevojshëm jo vetëm si një gjest politik, por si një mbrojtje konkrete e botës së lirë”. Kështu tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në fjalimin e tij të mbrëmjes.
‘Vendimi automatikisht do ta vështirësojë ekzistencën e shtetit terrorist dhe automatikisht do të ndërpresë lidhjet e ndryshme politike dhe biznesit që Rusia mund të mbajë ndryshe. Dhe e gjithë kjo do të ndodhë njëqind për qind”, tha presidenti.
Ndërkohë, mes Moskës dhe Kievit ka pasur shkëmbim akuzash. Sulmet erdhën pas sulmit me bombë që goditi një qendër paraburgimi ne zonën Olenivka, në rajonin e Donteskut, ku u ndaluan ushtarët e batalionit Azov, të cilët kishin qëndruar për javë të tëra me civilë në fabrikën e çelikut Azovstal dhe rezistenca e të cilëve ishte bërë simboli i sfidës ukrainase ndaj agresionit rus.
‘Sulmi i pushtuesve në Olenivka është një vrasje masive e qëllimshme e të burgosurve të luftës ukrainas. Më shumë se pesëdhjetë të vdekur’, shkruan Presidenti ukrainas Zelensky në Telegram. Si përgjigje, ambasada ruse në Mbretërinë e Bashkuar bën thirrje për varjen e ushtarëve të Azovit: “Ata meritojnë një vdekje poshtëruese”.