(24 janar 1948 – 15 gusht 2012)

Citat nga libri: «Në Tetovë, në kërkim të kuptimit», Koha, 2011. Bashkëbisedim me Enver Robellin.

E.R. – Më herët folët për 100 llojet e trëndafilave, që nëna juaj i kultivonte në shtëpi. Në çfarë rrethi familjar jeni rritur? Me se merrej babai juaj?

Arbën Xhaferi: Im atë ishte rrobaqepës. Ky zanat ishte i përshtatshëm që njerëzit të merreshin me politikë, natyrisht si amatorë. Atmosfera e qetë, statusi social i klientëve, krijonte në atë kohë, kontekstin e përshtatshëm për analiza, për biseda politike, sadopak, kompetente. Në atë kohë vetëm ata, të pasurit, që ishin në funksione të ndryshme, intelektualët apo zejtarët e vyeshëm, kishin mundësi të qepnin kostume të reja. Thuaja se të gjithë rrobaqepësit ishin politikanë amatorë. Fjalën ‘amator’ e dalloj nga fjala ‘diletant’ apo ‘joprofesionist’. Fjala ‘amator’ nënkupton pasionin e madh për t’u marrë me një veprimtari shoqërore, por jo si profesionist që jeton prej punës që bën, por thjesht si hobi apo përcaktim jetësor që të punojë për një ideal.

Në çdo qytet të shqiptarëve në atë kohë, prej viteve të 30-a të shekullit XX funksiononin organizata të fshehta politike. Njëra nga më të popullarizuarat ishte shoqata ‘Besa’, e cila kishte disa segmente: atë politik (çlirimi i atdheut), atë të sigurisë, atë të kulturës dhe atë ekonomik. Kjo formë e organizmit të strukturave ilegale i mbante të gjalla shpresat e popullit për çlirim. Im atë ka qenë njëri nga themeluesit e kësaj shoqate ilegale që në Luftën e Dytë Botërore dhe dha kontributin e pazëvendësueshëm në shtrirjen e shtetit shqiptar edhe në qytetet perëndimore të Maqedonisë.

Si prindi im kanë qenë edhe shumë të tjerë që e mbanin ndezur shpresën në kohët më të vështira. Për këtë veprimtari prindi im ka qenë dy herë në burg, 1945 dhe 1955. Herën e parë, për shkak se kishte qenë nëpunës i financave kur Tetova ishte Shqipëri dhe, herën tjetër, më 1955 për agjitim kundër shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi.

Në fëmijërinë time, në situatën kur ideologjia komuniste, përkatësisht ajo pansllaviste ishte e fuqishme dhe e shëndetshme, jeta në Tetovë dhe qytetet tjera shqiptare zhvillohej në dy paralele të ndara. Jetën publike e kishin në duart e tyre komunistët, përkatësisht maqedonasit, ndërkaq në jetën private gëlonin debate për kolapsin e Jugosllavisë. Çdo familje patriotike kishte medoemos një radio ku dëgjoheshin vetëm dy stacione: ai i BBC-së dhe ai i Zërit të Amerikës. Aso kohe në Tetovë gjeje mjeshtër që rregullonin radioaparate që sa më qartë të dëgjoheshin lajmet që emetonin këto dy radiostacione. Prindi im madje shiti një copë toke për të blerë një radio që ishte i vetmi mjet i kontaktit me botën e jashtme.

Kur fillova të merrem me politikë, pas vitit 1994, kërkova dosjen e prindit tim. Aty lexova raportin e personit që kishte pasur detyrë ta survejojë atë. Sipas raportuesit, im atë qenka shqetësuar për vdekjen e Dag Hamarskoldit (Dag Hammarskjöld), sekretar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara mes viteve 1953-1961 dhe fitues i çmimit Nobel për Paqe. E veçanta e kësaj storieje është përkushtimi i njerëzve të thjeshtë që jetonin në margjinat e shoqërisë, për të qenë të informuar mirë për atë se çka po ndodhte në botë. Ata, si prindi im, ishin njerëz që kurrë nuk humbën shpresat që Jugosllavia do të shpërbëhet pandalshëm.

Nga kjo kohë e errët, e pashpresë, kur çdo gjë ishte sllavizuar, kur ne ishim të pambrojtur si foshnja, më kanë mbetur në kujtesë atmosfera në shtëpi, aroma e asaj kohe. Kur im atë ishte i mërzitur, ose për ta thyer monotoninë këndonte këngë që nuk këndoheshin në publik, as atëherë, as sot. Fragmentet e tekstit dhe të melodisë i mbaj mend edhe sot: ‘…edhe hana do ta dijë, edhe dielli do të ketë pa, se përqark kësaj rrokullie, si Shqipnia vend nuk ka’, ose ‘…ti moj shqipe e Aleksandrit, zaptove botën, dole në Hindi’…
‘Katër vjet liri – katër shekuj shqiptari’, siç do të thoshin nacionalistët e këtyre anëve!’