Turizmi shqiptar sipas shifrave, e mposhti goditjen që mori nga pandemia COVID-19. Në shtatë muaj në Shqipëri kanë hyrë 3.9 milionë shtetas të huaj, duke u rritur me 39% në raport me vitin 2021, dhe janë trefishuar në raport me 7 mujorin e vitit 2020.
Sipas të dhënave të INSTAT nga janari deri në korrik kanë ardhur më shumë se 643 mijë të huaj sesa në vitin më të mirë turistik atë të 2019-ës.
Vetëm në dy muajit e fundit qershor-korrik kur fluksi i turistëve ka qenë edhe më i lartë, në vend kanë hyrë mbi 2.2 milionë të huaj. Ekspertët këtë dyndje të turistëve gjatë këtij viti e lidhin direkt me pasojat e pandemisë COVID-19, dhe nevoja për të dalë nga izolimi 2-vjeçar që imponoi virusi.
Me të njëjtin intensitet kanë lëvizur edhe shqiptarët, pasi në 7 muaj kanë dalë nga vendi mbi 3 milionë qytetarë, në një rritje me 41.1% në raport me vitin e kaluar.
Gjatë shtatëmujorit Spanja ka pasur rritjen më të madhe të hyrjeve të shtetasve me 4.5 herë, ndjekur nga Greqia me 3 herë, ndërsa Zvicra ka pasur rritjen më të ulët me 4,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021. Qytetarët këtë vit për të shmangur pritjet e gjata nëpër aeroporte, kanë zgjedhur më shumë rrugët detare. pasi sipas INSTAT hyrjet nga deti gjatë kësaj periudhe janë rritur me 47,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërkohë sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, qarkullimi ekonomik i bizneseve të Hoteleri-Turizmit është rritur më 23% gjatë periudhës maj-qershor referuar deklaratave të TVSH-së, krahasuar me një vit më parë, ndërsa në korrik aktiviteti u rrit me 25%. Ndikim në rritjen e të ardhurave të TVSH-së ka padyshim edhe rritja e çmimeve, pasi ky sezon është shoqëruar me denoncime jo vetëm nga qytetarët por edhe nga qeveria për çmime abuzive kryesisht në jug.
Por nga ana tjetër ecuria e mirë e turizmit sipas Financave ka pasur edhe kontributin më të madh në hapjen e bizneseve të reja, dhe rritjen e numrit të punonjësve në sezon.