Albin Kurti ka kaluar më shumë se gjysmën e 47 viteve duke luftuar për pavarësinë e Kosovës dhe njohjen ndërkombëtare. Ky ish-aktivist u zgjodh kryeministër me shumicë të madhe në vitin 2021.
Kështu e fillon shkrimin gazeta spanjolle ‘El Pais’ për të cilën ka folur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ai ka deklaruar se shteti spanjoll duhet ta njoh Kosovën pasi asgjë të përbashkët nuk kanë rastet mes Kosovës dhe Katalonjës e baskëve.
Kurti ka deklaruar se njohja e shtetit të Kosovës do ta ndihmonte Spanjën ta demonstronte se rastet nuk janë të njëjta pasi Serbia ka bërë gjenocid në Kosovë.
‘Spanja duhet dhe do ta njohë Kosovën. E di që ka disa ankesa, por, siç ka thënë shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, kur fitoi çmimin ‘Princi i Asturias’: ‘Spanja nuk duhet të krahasohet kurrë me Serbinë, sepse Serbia bëri gjenocid në Kosovë’. Besoj se pikërisht me njohjen e Kosovës, Spanja tregon se Katalonja dhe baskët janë raste të ndryshme’, ka thënë Kurti.
Në pyetjen se a ekziston rreziku për konflikt të hapur mes Serbisë dhe Kosovës, ai pohoi se ‘ka tension të madh sepse Beogradi refuzon të pranojë krimet e bëra në luftën në Kosovë. Për shembull, për masakrën e Reçakut, më 15 janar 1999, thonë se nuk ka ekzistuar. Ata e mohojnë krimin. Përveç kësaj, ata nuk e njohin pavarësinë tonë dhe kanë kryer 48 operacione rreth kufirit tonë: 28 janë ushtarake dhe 20 janë të xhandarmërisë’.
Albin Kurti ka qëndruar gjatë ditës së djeshme në Bruksel, ku ka pasur një takim tre-palësh me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borell si dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiç.
Kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez gjatë vizitës së tij zyrtare në Tiranë pak javë më parë, u pyet për arsyet se pse Spanja nuk e njeh akoma Kosovën. Për kryeministrin spanjoll është shkelur e drejta ndërkombëtare.
‘Ne mendojmë se është shkelur e drejta ndërkombëtare prandaj nuk mund të jemi në favor të këtij pranimi dhe e themi me gjithë respektin që kemi për popullin shqiptar është një opinion që nuk e ndajmë me qeverinë shqiptare, por kjo nuk do të thotë se ne nuk ju mbështesim drejt BE-së apo të nxisim dialogun Kosovë-Serbi.’- u shpreh Sanchez.