Në rrugën Palasë-Dhërmi me gjatësi 4.45 km, pjesë e aksit Orikum-Himarë, një vepër me rëndësi strategjike për turizmin në rivierën e Jonit, ka nisur puna për hedhjen e shtresës së parë të asfaltit.
Autoriteti Rrugor Shqiptar bëri të ditur se, në këtë segment rrugor po punohet me intensitet dhe ka filluar hedhja e shtresës së parë të konglomeratit bituminoz.
Sipas ARRSH-së, punimet kanë ecur me ritme të larta në këtë kantier ku ka përfunduar ndërtimi i trupit të rrugës së bashku me zgjerimin nga kilometri 0 deri në kilometrin 2.5.
“Kanë përfunduar të gjitha veprat e artit dhe ndërtimi i sistemit terramesh”, njoftoi ARRSH-ja.
Rruga Palasë-Dhërmi, 4.5 km e gjatë është një aks i rëndësishëm që lehtëson lëvizjen e automjeteve përgjatë bregdetit të jugut.
Në këtë projekt, përveç plotësimit me sinjalistikë veprave të artit, është parashikuar edhe ndërtimi i disa rrugëve sekondare për aksesimin e zonave turistike të banuara.
Aksi i ri do të zgjerojë segmentin aktual të kësaj gjurme dhe do ta përshtasë që të ketë akses me daljen e tunelit të Llogorasë.
Në total ndërtimi i rrugës do të kushtojë 16 milionë dollarë. Rruga do të jetë e një kategorie të lartë për sa i përket sigurisë rrugore, ndërsa pritet të përfundojë në fillim të sezonit të ardhshëm veror.