Ukraina ka akuzuar Rusinë se po përdor termocentralin si mburojë. Kreu i kompanisë shtetërore të energjisë bërthamore në vend, Enerhoatom ka akuzuar ushtarët rusë se e kanë kthyer termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia në një bazë ushtarake, duke e përdorur atë për të nisur sulmet kundër ukrainasve.
Petro Kotin thotë se kërcënimi ndaj uzinës është i madh, por vendi mbetet i sigurt.
“Forcat ruse e përdorin centralin si një mburojë kundër forcave ukrainase, sepse askush nga Ukraina nuk do të bëjë diçka”, tha ai.
Më pas vazhdoi: “Forcat e Armatosura të Ukrainës e dinë se personeli është ukrainas dhe kjo është një fabrikë ukrainase dhe ka njerëz ukrainas atje, kështu që ne nuk do të vrasim njerëzit tanë, stafin tonë dhe nuk do të dëmtojmë infrastrukturën tonë”.
Ai shtoi se 500 ushtarë rusë janë në kompleks dhe Rusia ka pozicionuar raketahedhës në zonën e uzinës.
Prej ditësh, Ukraina dhe Rusia kanë akuzuar njëra-tjetrën për bombardimin e uzinës.
Ukraina thotë se dy punëtorë janë plagosur dhe tre sensorë të rrezatimit janë dëmtuar.
Kompleksi ka qenë nën pushtimin rus që nga fillimi i marsit, por teknikët ukrainas ende e operojnë atë.
Ekspertja Claire Corkhil tha për BBC “se sa më shumë raketa të lëshohen dhe të vendosen mina rreth termocentralit bërthamor të Ukrainës në Zaporizhzhia, aq më i lartë është rreziku i pasojave shumë të rënda që do të përhapin rrezatim.”
Corkhill e konsideron atë një “situatë me rrezik shumë të lartë” dhe thotë se shqetësimi i saj më i madh është nëse një raketë do të godiste infrastrukturën kritike.
Ajo thotë se nëse kjo do të ndodhte, do ekzistonte mundësia që uji që pompon vazhdimisht rreth bërthamës së reaktorit bërthamor nuk do të ishte në gjendje ta ftohte më atë.
Kjo mund të çojë në një shkrirje dhe një seri shpërthimesh hidrogjeni që mund të lëshojnë rrezatim në shumë kilometra, thotë Corkhill, duke shtuar se “kjo pothuajse ndodhi në mars të këtij viti”.
Kreu i instaluar nga Moska në Zaporizhzhia ka nënshkruar një dekret që do të mundësojë mbajtjen e një referendumi për bashkimin e rajonit me Federatën Ruse, raporton agjencia e lajmeve RIA Novosti.
Zaporizhzhia jugore është nën kontrollin rus dhe është fokusi i kësaj faze tjetër të luftës pasi termocentrali bërthamor i Ukrainës në Zaporizhzhia pëson granatime të rënda.