Në vizitën e tij në Prishtinë, President Bajram Begaj foli për liberalizimin e vizave të Kosovës që sipas tij duhet të bëhet me urgjencë. Begaj siguroi homologen Vjosa Osmani se do të vijojë mbështetja e Shqipërisë edhe për anëtarësimin e Kosovës në NATO.
“Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një premtim i vonuar dhe një e drejtë që ata duhet ta gëzojnë si të gjithë qytetarët e tjerë të rajonit, për të cilën unë e sigurova Presidenten Osmani se Shqipëria do të vijojë mbështetjen e saj për përmbylljen me lajm pozitiv, sa më parë të jetë e mundur. Shqipëria mbështet fuqimisht anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe vlerëson se NATO mbetet një garant i paqes në rajon dhe aleat strategjik i Kosovës dhe Shqipërisë. Ne mbështesim anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe vlerësojmë se aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës ishte vendimi i duhur”, tha Begaj.
Ndër të tjera, presidenti theksoi se gjatë mandatit në Këshillin e Sigurimit, Shqipëria do të jetë zëdhënëse e interesave të Kosovës.
“E sigurova presidenten Osmani se gjatë mandatit në Këshillin e Sigurimit dhe si anëtare e OKB-së, Shqipëria do të jetë zëdhënëse e interesave të Kosovës, përforcuese e zërit të saj, në promovimin e shtetit të pavarur të Kosovës, pakthyeshmërinë e këtij fakti, njohjet e reja dhe rrugëtimin e saj euro-atlantik”, tha Begaj.