Një pjesë e Britanisë së Madhe është zyrtarisht në krizë thatësisre mes temperaturave përvëluese dhe pothuajse asnjë reshje shiu që nga muaju qershor, ndërsa supermarketet filluan të racionojnë ujin në shishe për të parandaluar blerjet e tepruara. Miliona familje janë prekur nga reduktimet e furnizimit me ujë.

Banorët në Londër, Anglinë Jugperëndimore, Anglinë Jugore dhe Qendrore dhe Anglinë Lindore janë zhvendosur në statusin e thatësirës ku u kërkohet të jenë të kursyer me ujin për shkak të verës më të thatë në 50 vitet e fundit pa reshje. Agjencia e Mjedisit konfirmoi se tetë nga 14 zonat e saj janë duke përjetuar zyrtarisht thatësirën.

Shpallja zyrtare e thatësirës nuk shkakton automatikisht kufizime ligjore për përdorimin e ujit në tetë zonat e Anglisë të lartpërmendura, por shkakton më shumë presion mbi kompanitë e ujit për të ndaluar klientët të përdorin masivisht ujin. Larja e automjeteve me ujë nga rubineti gjithashtu mund të shpallet së shpejti e paligjshme.

Nëse nuk nisin reshje në javët e ardhshme, miliona britanikë do ta kenë të ndaluar të lajnë automjetet e tyre, por dhe dritaret e ndërtesat. Mund të nënkuptojë gjithashtu racionimin e ujit për familjet.

Britanikëve iu është thënë tashmë që të bëjnë dush të shpejtë, të lajnë me lavatrice vetëm kur ajo të jetë e mbushur plot dhe larësen e enëve ta vënë në punë maksimumi një herë në ditë.
Është thatësira e parë e deklaruar në Mbretërinë e Bashkuar që nga viti 2018, por pavarësisht paralajmërimit për reshje të dendura dhe stuhive këtë të hënë, pjesa më e madhe e Anglisë jugore nuk ka gjasa të regjistrojë reshje të paktën deri në muajin shtator.