Nisur nga rritja e numrit të qytetarëve të prekur nga Covid19, Ministria e Shëndetësisë i bën sërish thirrje qytetarëve të mos neglizhojnë vaksinimin anticovid, posaçërisht në këtë periudhë të rritjes së kontakteve, për shkak të lëvizjeve përgjatë sezonit veror.
Çdo person mbi 12 vjeç, mund të vaksinohet në qendrat shëndetësore në të gjithë vendin. Gjithashtu MSHMS apelon të gjithë qytetarët e vaksinuar, që të drejtohen në qendrat shëndetësore, për t’u vaksinuar me dozën përforcuese.
Vaksinat antiCOVID reduktojnë mundësinë e infektimit dhe shmangin në shkallë të lartë hospitalizimet dhe fatalitetet.
Nëse keni shenja të sëmundjes apo keni patur kontakt me një person të prekur nga Covid19, izolohuni menjëherë dhe kontaktoni mjekun tuaj të familjes për t’u testuar sa më parë ose telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin unik 127.
Ju informojmë për situatën në 24 orët e fundit, si vijon: Janë kryer 1975 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë me COVID19, 831 qytetarë. Aktualisht në spitalin COVID3 po marrin trajtim 26 pacientë. Në 24 orët e fundit ka tre humbje jete me Sars-Cov2: një qytetar nga Durrësi 72 vjeç, një qytetar nga Shkodra 80 vjeç, një qytetar nga Elbasani 85 vjeç. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtje Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve.
Janë shëruar 795 qytetarë gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 305,745 që nga fillimi i epidemisë”, njofton Ministria e Shëndetësisë.