“Tradita e Beratit” është një tjetër destinacion për vizitorët vendas dhe turistët e huaj që duan të shijojnë natyrën dhe produktet bio të qytetit të “Një mbi një dritareve”.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga kjo bujtinë, duke ftuar qytetarët ta vizitojnë atë.

“Dy të rinj Antoneli dhe Kejsi Hoço kanë transformuar shtëpinë 350-vjeçare pranë urës së Goricës, të gjyshit dhe babait në një bujtinë që prezanton kulturën dhe traditën e Beratit. Në një destinacion perfekt me kuzhinë tradicionale, verën e Beratit, reçelin e shtëpisë, “Tradita e Beratit” ju mirëpret”, shkruan Rama.

Mbështetja për agroturizmin dhe programi i “100 Fshatrave” kanë nxitur investitorët të ngrenë struktura akomoduese për vizitorët, të cilët, bashkë me natyrën tashmë mund të shijojnë edhe ushqimet tradicionale.

Nëpërmjet programit mbështetës të zhvillimit rural synohet evidentimi i produkteve lokale tradicionale të çdo zone, drejt një ekonomie lokale të konsoliduar.

Mbështetja financiare ndihmon prodhuesit e vegjël në rritjen e kapaciteteve prodhuese, plotësimin e standardeve dhe siguruar cilësi, për të mundësuar që këto produkte të gjenden kudo. Në të njëjtën kohë fuqizohen zonat rurale, nëpërmjet orientimit të investimeve në këto zona.