Nuk ka më asnjë dyshim se muaji gusht, mund të karakterizohet në Greqi si muaji i shtrenjtësisë energjitike, pasi çmimi i energjisë arriti në 697 euro për megavat orë, duke pësuar një rritje prej 65% vetëm brenda 29 ditësh.Shkak ishte rritja e çmimeve të gazit natyror që në 1 gusht kushtonte 200 euro për megavat orë, ndërsa mëngjesin e së hënës bursa e energjisë u hap për Greqinë me 305 euro duke shënuar një rritje prej 52%.Zëdhënësi i qeverisë Janis Oikonomou ka theksuar “vështirësitë e mëdha ” që presin familjet dhe bizneset gjatë dimrit që vjen duke vënë në dukje se qeveria po bën gjithçka që mundet për t’i përballuar ato.

“Qeveria vazhdon dhe do të vazhdojë për sa kohë të zgjasë kriza energjetike mbështetjen e familjeve dhe sipërmarrjeve të vogla e të mesme, mbështetjen e të gjithë shoqërisë duke mbuluar pjesën maksimale të rritjeve të energjisë elektrike. Greqia, sipas të dhënave nga Instituti Bruegel të publikuar nga Bloomberg – ka ndarë më shumë para midis vendeve anëtare të BE-së (si përqindje e PBB-së së saj) për të mbështetur familjet dhe bizneset kundër shtrenjtësisë së energjisë“, tha Janis Oikonomou zëdhënësi i qeverisëDuke iu përgjigjur atyre që kritikojnë qeverinë se ka shpenzuar shumë para për subvencione, rreth 6.8 miliard euro , zëdhënësi i qeverisë ka deklaruar se “familjet duhet të mbështeten, përndryshe do të kishte falimentime të panumërta”.Sipas institutit të statistikave në muajin korrik është kursyer 11% energji në ndërmarrjet shtetërore,por ka pasur një rritje prej 2% në konsumin e naftës për makina nga qytetarët, rritje të konsumit të energjisë elektrike dhe lëndëve djegëse të lëngshme dhe një rënie rreth 12-13% tek benzina.
Qeveria greke ka deklaruar se përgatitet për një paketë të re masash kundër shtrenjtësisë në çmimet e energjisë, gazit natyror dhe produkteve ushqimore,për shtresat në nevojë, që do të shpallë kryeministri Mitsotakis gjatë panairit të Selanikut në fillim të muajit të ardhshëm.