Boksieri Florian Marku është nderuar me titullin ‘Qytetar nderi’ në qytetin e tij të lindjes, Lushnje.

Vendimi për nderimin e boksierit me këtë titull është marrë që para një viti, ndërsa dje ai u nderua me një ceremoni të organizuar në Shtëpinë e Kongresit në Lushnje.

Pas fitores në ndeshjen e të enjtes kundër meksikanit Miguel Parra Ramirez në stadiumin “Air Albania”, boksieri Marku është kthyer në qytetin e tij të lindjes për të festuar fitoren si dhe për të marrë titullin e lartë.

Në ceremoni kanë mbajtur fjalimet e tyre kryetarja e bashkisë, Eriselda Sefa si dhe drejtuesi politik i qarkut të Fierit Taulant Balla.

Ata e cilësuan Markun një simbol vlerash dhe njeri të vendosur për të arritur majat.

Ndërsa ditën e sotme, kampioni i boksit do të parakalojë në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ në Tiranë ku do të pritet nga kryeministri Edi Rama.

Kryeministri ka ftuar qytetarët që t’i bashkohen kësaj ceremonie për të nderuar një tjetër krenari kuqezi, kampionin që po e ngjit flamurin shqiptar në majën e botës, Florian Markun.