Pas grafiteve “Mos u shqetësoni, ne jemi këtu – Brigada Veriore”, “Jemi në Pritje”, “Jo dorëzim, KM mbetet”, “Nuk ka dorëzim, letërnjoftimi serb mbetet”, qytetarët e Mitrovicës së Veriut sot janë zgjuar me një grafit të ri ku shkruan “NATO, shko në shtëpi, kjo është Serbia”.
Përpos grafitit që tregon mllefin ndaj Aleancës Veri-Atlantike, në rrugët kryesore të komunës së Mitrovicës së Veriut, është parë edhe një grafit ku shkruan “Brigada e Veriut po rritet dita-ditës”.
Garfitet në fjalë kanë filluar të shfaqen më shumë se një muaj më parë, më saktësisht që nga fillimi implementimit të vendimeve të Qeverisë së Kosovës, për konvertimin e targave dhe kartave të identitetit.
Ndryshe grafitet e fundit janë shfaqur në ditën kur i dërguari i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i shoqëruar me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, takuan përfaqësuesit e serbëve të Kosovës në Veri të Vendit.
Në takim me të dy deleguarit amerikano-evropian, përveç kryetarit të Listës Serbe dhe njëherit ministrit për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiç’it, morën pjesë edhe kryetarët e komunave të Zveçan’it, Leposaviç’it, Zubin Potok’ut dhe Mitrovicës së Veriut.
Sipas të deleguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, SHBA-të kanë parasysh shqetësimet e kryetarëve të Komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe krerëve të Listës Serbe, pasi që 1 shtatori dita e rifillimit të implementimit të vendimeve të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet me targat dhe kartat e identitetit po afrohet.
Këtë deklaratë Escobar e dha pas përfundimit të takimit që ai pati me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës në Veri të vendit.fillimisht nga takimi në fjalë u largua diplomati sllovak, Miroslav Lajçak, i cili u adresua para mediave në gjuhën serbe.
Ai u pyet nga gazetarët rreth deklarimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se në takimin e 18 gushtit ka qenë Lajçak ai që ka kërkuar shtyrjen e implementimit të vendimeve të Qeverisë së Kosovës, për targat dhe kartat e identitetit.
Mirëpo, Lajçak përpos se ka refuzuar t’i komentojë para mediave deklaratat e Kurtit, ka thënë se mu për këtë temë “ka shumë spekulime” dhe se ai vetë “nuk di asgjë për këtë”.
Më tej Lajçak, ka shtuar se gjitha këto takime, pra përveç këtyre në Veriu edhe ato në Prishtinë janë zhvilluar për të vetmen qëllim – që më 1 shtator të mos ketë barrikada rrugëve.
“Dëshirojmë që 1 shtatori të jetë ditë normale, një ditë e zakonshme, unë jam optimist, nuk do të isha këtu po të mos isha optimist”, ka theksuar ai.
Lajçak më tej është pyetur se kur Kurti dhe Vuçiç do të takohen sërish në Bruksel për raundin e ri të bisedimeve.
“Unë supozoj se shumë shpejt. Ata ranë dakord që të shihen afërsisht një herë në muaj. Janë shumë tema që palët duhet t’i diskutojnë”