Me listë në dorë duke blerë çdo javë të njëjtat produkte, qytetarët dëshmojnë me sytë e tyre si rriten çmimet e produkteve në supermarkete.

“Mega Live news” bleu të njëjtat produkte si një vit më parë për të krahasuar çmimet e tyre dhe rritja është marramendëse.

Në një krahasim të çmimeve nga muaji shtator i vitit 2021 me gushtin e vitit 2022, makaronat kanë pësuar një rritje prej 14%, toni i peshkut një rritje prej 23%.

Ndërkohë që tek produktet e mishit dhe bulmetit vërehet akoma edhe më shumë rritja marramendëse, ku çmimi i djathit kaçkavall është rritur me 123%, i gjalpit me 106% dhe i drithërave me 102%.

Nga ana tjetër çmimet e produkteve të shportës kanë arritur në nivele të paimagjinueshme, ku përmes një krahasimi midis stinës së pranverës dhe verës së këtij viti, vihet re se çmimi i miellit është rritur me 36%, i vajit të lulediellit me 35%, bukës për tost me 15% dhe djathit të bardhë me 11%.

Në këtë mënyrë, një familje në Greqi përfundon duke shpenzuar për blerjet e tyre javore, nga 90 euro në vitin 2021, në 170 euro në vitin 2022 për të njëjtat produkte, duke shënuar kështu një rritje prej afro 90% të çmimeve.