Mësoi zanatin në moshën 52-vjeçare nga interneti, ndërsa tani bën vepra të mahnitshme arti në dru. Ky është Naser Sulejmani, 60-vjeçari nga Shkupi që po çon pasionin e tij për drugdhendjen në një nivel tjetër.
“Këtë punë e punoj që 8 vite. Mësimin e kam marrë prej pamjeve, natyrës, më shkurt e shqip sikur thonë prej Zotit. Jam i dashuruar në këtë punë”, shprehet ai.
Naser Sulejmani ka teknika jo të zakonshme për punë me djegie me ane të energjisë elektrike. Përdor ujin e përzier me sodë të bukës pasi uji përçon rrymën si furçë, ndërsa soda e bukës e pengon djegien e pakontrolluar të drurit.
“Kjo teknikë është me rrymë dhe është shumë e rrezikshme. Mos të provon secili sepse është e rrezikshme sepse këtë aparat që po e shihni e kam prishur mikrovalën për ta rregulluar këtë. Tash i hedh ujë me sodë të bukës që të laget druri dhe tani druri digjet me rrymë”, tregon ai.
Në punimet e tij dominojnë motivet patriotike, flamuri kombëtar, Skënderbeu, por edhe kalaja e Çarshia Shkupit.
“Gjithë këto teknika janë unikale. Për së dyti edhe po të dua ndoshta nuk mund ta bëj më të njëjtën”, thotë ai.
Sulejmani frikësohet se ky profesion po zhduket për shkak të jo-interesimit të të rinjve për ta mësuar, për shkak të të ardhurave të pakta që sjellë.
“Gjeneratave të reja ju kisha thënë nëse kanë pak vullnet dhe kushte le të punojnë. Unë mund t’i ndihmoj që ta marrin zanatin. Mjerim është të humb ky zanat. Është katastrofë”, përfundon ai.