Nga Artur Korriku
Në fillim verën e vitit 1982, në Durrës u hap fjala se një atlet i shquar durrsak, ishte arratisur në Jugosllavi me not nga liqeni i Ohrit. Për disa ditë me radhë ky ishte lajmi që qarkullonte në të gjitha mjediset publike të Durrësit. Bëhej fjalë për maratonistin durrsak, Qemal Zaza, i cili ishte pjesë i ekipit kombëtar të atletikës dhe që në vitin 1979, në Spartakiadën e IV-të Kombëtare, në disiplinën e maratonës, kishte arritur kohën 2 h 34’14’, kohë e cila edhe sot pas 39 vitesh, ende nuk është arritur.
Por çudia më e madhe për qytetarët e Durrësit ngjau, kur ata pas disa ditëve, panë Qemalin të qarkullonte nëpër rrugët e qytetit, i shoqëruar nga shokët dhe miqtë e tij. Fillimisht u mendua se arratisja mund të kishte qenë diçka e sajuar apo thashetheme por, më vonë sërish u fol se ai ishte arratisur, por e vërteta mbeti përsëri e mbuluar me mister…!
Qemali e ka ruajtur këtë ngjarje në memorien e tij dhe atë që kishte ndodhur me të vërtetë, nuk e rrëfeu për 36 vjet me radhë. Atë e dinin vetëm një numër i vogël njerëzish, ish- hetues dhe punonjës të Degës së Punëve të Brendshme të asaj kohe, familjarët e tij si dhe shoku më i ngushtë.
Vetëm tashti Qemali ka rrëfyer aventurën e tij si dhe shkaqet që e çuan të merrte një vendim të tillë. Ai thotë se nuk ka dashur që ta bëjë publike historinë e tij, me gjithë insistimin e mediave për vite me radhë (kuptohet pas vitit 1990), se ajo ishte një tentativë dëshpërimi për rrethanat në të cilat ai ndodhej në atë kohë, si dhe për faktin se dikujt që e dëgjon, do t’i duket diçka absurde arratisja dhe pendimi, fill sapo kishte mbërritur në bregun matanë.
Por ajo çka mund të dukej më e çuditshme është, vetë denoncimi në Degën e Punëve të Brendshme e arratisjes, duke nxjerrë “jashtë loje” forcat e Kufirit të cilëve, ai “ju rrëshqiti nën hundë”.
Qemali kujton se fill pas kësaj ngjarje, në liqenin e Pogradecit, u dërgua një Kater-silurues nga Durrësi, sepse ato ditë ndodhej në Drilon për pushime Enver Hoxha me familjen e tij. Pra u përforcuan masat e sigurisë në liqen dhe jashtë tij.
Ja si e kujton këtë ngjarje, 62 vjeçari Qemal Zaza:
“Me datën 21 qershor të vitit 1982, unë jam arratisur me not nga liqeni i Ohrit dhe sapo mbërrita në bregun matanë, që në atë kohë i përkiste Jugosllavisë, jam kthyer sërish mbrapsht, pas një reflektimi që i bëra gjërave teksa notoja në ujët e liqenit. Kam notuar 4 orë e 40 minuta dhe kam përshkuar një distancë 10 deri 12 km.”.
Pse vendose të arratiseshe?
“E mora një vendim të tillë sepse gjërat nuk po më shkonin mirë. Mbi të gjitha nuk po më lejonin të vazhdoja studimet në Institutin e Lartë të Fizkulturës.Kisha disa vite me radhë që kërkoja të jepja normat për në Institut por kërkesa ime nuk pranohej. Kisha kërkuar takim me ministren e arsimit të asaj kohe, Tefta Cami, por ajo nuk më priti dhe nxori zv/ministrin Bardhyl Golemi, por pa rezultat. Për më tepër që unë isha atlet maratonist dhe pjesëtar i ekipit kombëtar të atletikës. Në vitin 1979, kisha arritur kohën 2h,34’14”, në Spartakiadën e IV-të Kombëtare të Sporteve, në garën e maratonës në Tiranë. Kjo kohë edhe sot e kësaj dite nuk është arritur akoma.
Kujtoj se teksa vrapoja në atë maratonë, nga pas më ndiqte me biçikletë, Bamir Topi, për të më inkurajuar. Në atë kohë unë punoja në Hekurudhë, në ofiçinë, pasi kisha mbaruar shkollën e Mesme Industriale, shkollë kjo ekuivalente me Politeknikumin e Tiranës (sot “Harry Fultz”). Edhe pse kisha dalë nga kjo shkollë me kategorinë e pestë, mua më paguanin me kategorinë e tretë, edhe pse insistoja që kjo padrejtësi duhej të rregullohej. Ma kishin vënë fotografinë në tabelë të nderit si punonjës i dalluar. Një ditë e mora kornizën me fotografinë dhe e theva përtokë, duke deklaruar se nuk jam i dalluar, sepse në shkollë nuk më lejojnë të shkoj dhe kategorinë nuk ma japin.
Ndërkohë njërin nga dajat e mi, Kapllan Gjuzin, e kishin arrestuar dhe dënuar për “agjitacion e propaganda”. Ai e vuajti dënimin në burgun e Qafë Barit. Kështu që, neve nga familje e lidhur me Luftën, po trajtoheshim si familje e deklasuar dhe kjo në atë kohë kishte pasoja shumë të rënda. I ndodhur në këto rrethana, vendosa të arratisesha dhe për këtë hartova një plan me mendjen time. Këtë vendim timin ja thashë vetëm shokut tim më të ngushtë, Jakup Pejzaku, i cili sot gjendet në Itali”.
Si u arratise?
“Neve na dërgonin me shërbime nëpër stacionet e ndryshme hekurudhore në mbarë vendin, për të riparuar defektet e trenave sepse, në atë kohë transporti hekurudhor ishte shumë i fuqishëm. Në qershor të vitit 1982, na dërguan me shërbim në stacionin e Gurit të Kuq në Pogradec. Me mua ishin edhe Vasillaq Patera, Novruz Saliu, Gani Aliu, Dilaver Bodlli dhe Jakup Pejzaku. Shërbimi ishte dy javor. Ky ishte edhe rasti që unë prisja për të realizuar planin tim të arratisjes. Nisa ta ve në zbatim këtë plan.
Pas punës ne shkonim të laheshim në liqen. Unë bëja not dhe shkoja shumë larg, deri afër mesit të liqenit. Nuk ndjeja lodhje sepse, isha atlet i garave të gjata dhe rezistenca ishte sekreti i disiplinës së maratonës. Pra po testoja veten. Një ditë një nga shokët më tha me shaka se: ti dilke rehat matanë, me gjithë këtë not që bën. Edhe unë e kalova si me të qeshur shakanë e shokut tim. Ndërkohë, për disa net me radhë shkoja në liqen dhe masja temperaturën e ujit. Ajo varionte nga 10 deri në 12 gradë. Pra natën uji ishte i ftohtë.
Ndërkohë që unë thurja planin e arratisjes, në Spanjë zhvillohej Kampionati Botëror i Futbollit gjë që më favorizonte sepse kur luheshin ndeshjet, vigjilenca binte. Kisha vënë re kur lahesha, se në një distancë nga bregu i liqenit, gjithmonë gjendeshin tre varka me motor, që gjoja peshkonin. Ato ishin të pajisura në pjesën fundore me drita të fuqishme. Nuk kishte dyshim se punonin për degën e brendshme dhe kufirin nën petkun e peshkimit. Pasi regjistrova gjithçka në mendjen time, mora edhe masat përkatëse. Në Pogradec, kishte ardhur Enver Hoxha me familjen e tij.
Me datën 21 qershor luheshin tre ndeshje të rëndësishme të Kampionatit Botëror të cilat nisnin pasdite dhe përfundonin natën vonë. Pikërisht atë natë, vendosa të arratisesha.
Teksa shokët e mi shikonin futboll, unë u nisa për në liqen. U zhvesha dhe u leva me graso, për të evituar temperaturën e ujit të liqenit. Ishte një graso shumë e mire, e cila vinte nga Kina. U leva nga gjunjët deri në qafë. Orë kundra ujit nuk kisha, ndaj orën e dorës, e izolova me letër celefon. Mora një gyp me gojëz si dhe një palë lopata notimi. Lashë të kalonte njësitin kufitar që patrullonte në tokë. Ishte një kapter me dy ushtarë dhe me një qen, që kalonte çdo gjysëm ore aty ku unë kisha vendosur të hyja në ujë.
Në orën 21 e 25 minuta, hyra në liqen dhe u nisa për në bregun që i përkiste Jugosllavisë së asaj kohe ose Maqedonisë së sotme. Notova ngadalë për më shumë se dy orë. Nuk pata asnjë problem dhe nuk lëvizi asnjë mjet patrullimi ujor. Duke notuar aq gjatë, mendoja me intensitet shumë gjëra që lidheshin me arratisjen time. Ndërkaq, mbërrita në bregun tjetër afër Shën Naumit. Teksa po dilja në breg, dallova pikën Policore Kufitare me germat jugosllave, ku duhej të dorëzohesha. Edhe atje qetësi. Edhe ata si duket shikonin ndeshjet e futbollit. Për një moment, ndalova dhe nuk po bëja më përpara. Gjithçka në planin tim m’u përmbys dhe të tjera gjëra më erdhën në kokë. Mendova pasojat që do të kishin familjarët e mi. Diktatura akoma ishte shumë e fortë. U ktheva mbrapsht, pas një ndalimi të shkurtër në bregun tjetër. Hyra në liqen dhe u nisa me not andej nga kisha ardhur. Vendosa të realizoj një tjetër plan.
Si vazhdoi kjo histori?
Notova edhe dy orë e gjysëm të tjera dhe në orën 02 e 5 minuta, mbërrita sërish në bregun tonë. Rrugës u ndesha me tre varkat që gjoja peshkonin. Atyre ju ika me anë të tubit me gojëz llastiku dhe ata nuk më vunë re.
Sapo dola në breg shkova drejt e te inspektori i stacionit hekurudhor. Në zyrë gjendej me shërbim një person që e quanin Çelik, por mbiemri nuk më kujtohet. Me të ishte edhe ROGL (Roja Operative e Gatishmërisë Luftarake). Unë hyra me mbathje në zyrë dhe i lyer me graso. Ata që të dy e kuptuan se çfarë kishte ngjarë. Unë ju drejtova telefonit dhe vendosa gishtin te numri i Degës së Punës të Brendshme të Pogradecit. Kisha vendosur të vetë denoncohesha. Mendoja se në këtë mënyrë ose do të fitoja të drejtat e mija ose do të dënohesha.
Dy personat e shërbimit më thane: mos e bëj se do të dënohesh. I nxora jashtë që të dy dhe me qetësi, mora në telefon oficerin e shërbimit në Degën e Punëve të Brendshme të Pogradecit. I thashë se kishte shkelje kufiri. Më pas i tregova se cili isha si dhe disa hollësi të tjera që lidheshin me vendndodhjen dhe punën time. Pas nja gjysëm ore, drejt stacionit erdhën pesë makina të Degës së Punëve të Brendshme. Unë gjendesha në një dhomë që e përdornim për të veshur rrobat e punës dhe për shërbime të tjetra.
Ata u trembën se, kujtuan se po bëj ndonjë hap të gabuar dhe po prek telat e korrentit. Nuk kishin ngut. Unë përdora një bidon me benzinë, për të hequr grason nga trupi. Pastaj u lava dhe u pastrova dhe si u vesha u vendosa në dispozicion të tyre. Ndërkohë që ndodhën të gjitha këto, kishte zbardhur dita. Hipa në një makinë “BÇ”, të cilat kishin ardhur nga Kina. Kuptohet që destinacioni, ishte Dega e Punëve të Brendshme.
Dy ditë zgjati hetuesia në Pogradec. Me këtë punë, u mor vetë shefi i Hetuesisë së Pogradecit, Lulo Ymeraj. Ndërkohë kishte mbërritur edhe një ekspert nga Tirana, që e quanin Berti. Me ta ishin edhe Bilbil Meta dhe Ylli Mando. Ju thashë se si u arratisa me të gjitha imtësitë. Dukeshin të habitur. I tregova shkurtimisht se përse isha i pakënaqur. Pas dy ditësh, më nisën për në Durrës. Qëndrova tre ditë në Degën e Punëve të Brendshme të Durrësit. Edhe atje të njëjtat procedura.
I thashë se nuk më dhanë të drejtën të jepja normat për në Institutin e Fizkulturës dhe të tjera gjëra. Me sa kuptova, po më trajtonin si një të penduar. Pas tre ditësh, më dërguan në zyrën e shefit të Policisë. Më tha se: je i lirë dhe mund të kthehesh në punë. Më porositi që të dal në xhiro sa më shumë. Në atë kohë të gjithë bënin xhiro në bulevard dhe buzë detit. Më porositën gjithashtu se: nëse më pyesnin se çfarë kishte ndodhur, t’u përgjigjesha se kishte ndodhur një keqkuptim.
Si rrodhën ngjarjet më pas?
Me veten time, mendoja se pas kësaj do të takoja Enver Hoxhën dhe do të fitoja shkollën. Por nuk ndodhi kështu. Më dhanë kategorinë e pestë në punë dhe kaq.
Ndërkohë emri im ishte bërë i njohur në familjen e Enver Hoxhës sepse, kisha arritur të arratisesha gjatë kohës që ai ishte me pushime, pikërisht në Pogradec.
Ndodhi që masat e marra për sigurinë në liqen u shtuan. Një Kater-silurues, u dërgua nga Durrësi në Pogradec. Transportin e realizoi brigada që drejtohej nga shoferi i njohur Met Delvina. Mjetin lundrues e hipën mbi një kamion “Tatra” dhe e çuan në Pogradec.
Pas shumë vitesh…?
Siç thashë ngjarjen e mori vesh Enver Hoxha. Në liqen u shtuan mjetet lundruese patrulluese përfshi edhe një Kater-silurues. Komandant Kateri, ishte një djalë i ri. Ai i kishte thënë një shokut tim se, ai durrsaku që kaloi matanë, na ka hapur shumë punë, se ngelëm me shërbim non-stop.
Pas shumë vitesh, një natë, në mos gaboj ka qenë viti 2007, isha i ftuar në një banket në hotel “Rogner”. Isha i ftuar nga Ambasada e Libisë pasi, ata kishin festën kombëtare. Krahas trupave diplomatike, në këtë event ishin të ftuar edhe përfaqësues të qeverisë sonë. Në takim ndodheshin edhe pjesëtarë të familjes Hoxha. Për një çast te tavolina ku gjendesha unë, erdhi ambasadori i Libisë në Tiranë, në atë kohë, Ali Al Ghadamsi.
Ai, pasi na përshëndeti, tha se i kërkoj leje të pranishmëve në tavolinë, por Qemalin e kërkojnë te ajo tavolina dhe tregoi me dorë vendin ku ndodheshin djali i Enver Hoxhës me bashkëshorten si dhe vajza me bashkëshortin. Donin të më takonin. Por pasi falenderova ambasadorin, refuzova ftesën dhe i thashë se tashmë është shumë vonë për t’u takuar me ta. Sistemi i tyre më kishte dëmtuar”.
Këtu mbaron intervista jonë me z. Qemal Zaza dhe ndërkohë që rrëfen këtë ngjarje, ai kur ecën, ka vështirësi në njërën këmbë dhe kur del në plazh, i dallohet një goxha shenjë plage. Qemali thotë se, është aksidentuar në punë, por shokët e tij nuk mbajnë mend që ai të jetë dëmtuar ndonjëherë në punë apo në stërvitje…?! Memorie.al