Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se ecuria e ekonomisë përgjatë 7-mujorit të parë të këtij viti është pozitive pavarësisht se është e ndikuar nga efektet e agresionit rus në Ukrainë.
Ekonomia po ecën me ritme pozitive duke konfirmuar efektivitetin e masave që qeveria ka marrë deri tani për të stimuluar rritjen dhe garantuar qëndrueshmërinë e parametrave ekonomik dhe fiskal””, deklaroi ajo në konferencën e përmuajshme mbi zhvillimet në ekonomi.Ministrja tha se pavarësisht prirjeve në rritje të inflacionit, ekonomia shqiptare performoi mirë si në aspektin e rritjes ekonomike, treguesve të tregut të punës apo edhe në tregti.
“Nga ana tjetër të dhënat e tërthorta për treguesit e tremujorit të dytë dhe pjesërisht të tremujorit të tretë tregojnë se rritja ka vijuar duke sjellë efekt pozitë me qëllim ruajtjen e nivelit të konsumit dhe rritjen e mëtejshme të nivelit të investimeve”, shtoi ajo.
Ibrahimaj theksoi se, politikat e ndërmarra luajtën rol pozitiv në mbajtjen në nivele të kontrolluara të inflacionit në krahasim me vendet e rajonit.
Sipas saj, inflacioni në muajin korrik shkoi 7.5 %, ndërsa mesatarja për 7-mujorin llogaritet 5.3 %.
“Nëse krahasohemi me vendet e rajonit inflacioni në Shqipëri është ndjeshëm më i ulët falë politikave fiskale e monetare të ndërmarra. Në Maqedoninë e Veriut inflacioni ishte 16 %, në Kosovë 14.2 %, në Serbi 12.8 %, ndërsa mesatarja në vendet e BE-së ishte 8.9 %”, tha ajo.
Ministrja Ibrahimaj theksoi se stabiliteti i ekonomisë flet edhe për një përgjigje pozitive të biznesit ndaj asaj që po ndodh në tregjet ndërkombëtare, qoftë në sjelljen e tyre në investim dhe pritshmëritë për të ardhmen afatmesme.
Sipas saj, totali i ardhurave në periudhën janar-korrik llogaritet 326.7 miliardë lekë ose 15.9 % më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2021.
“Niveli i rritjes së të ardhurave në krahasim me vitin e shkuar është ndjeshëm më i lartë se sa rritja e çmimeve të konsumit që do të thotë se kemi një ecuri të mirë të ekonomisë krahasuar me një vit më parë“, u shpreh Ibrahimaj.