Tre gjykatat më të rëndësishme në Shqipëri, Gjykata e Posaçme e Apelit, Gjykata e Lartë dhe së fundi Gjykata Kushtetuese kanë rrëzuar përpjekjet e ish ministrit të Brendshëm, Fatmir Mediu, për t’i shpëtuar procedimit penal nga SPAK për krimin dhe korrupsionin shtetëror në Gërdec, ku humbën jetën 27 njerëz, u plagosën rreth 300 të tjerë si dhe u shkatërruan qindra banesa dhe biznese.

Për 13 vite me radhë, nga viti 2009 deri në vitin 2022, Fatmir Mediu e ka zhvilluar betejën jo për të bindur drejtësinë për pafajësi, por për të mos lejuar gjykimin për rolin e tij si njeriu që bëri letrat e Gërdecit për llogari të Sali dhe Shkëlzen Berishës, të cilët po bënin biznes familjar me punishten e vdekjes.

Beteja e Mediu për t’i shpëtuar përballjes me drejtësinë do të merrte një kthesë me ngritjen e organeve të larta të drejtësisë dhe sidomos SPAK-ut. Në 22 shkurt 2021, familjarë të viktimave të tragjedisë së Gërdecit, i kërkuan SPAK-ut që të merrte të pandehur Fatmir Mediun, i cili e kishte pushuar çështjen me një manovër procedurale në 14 shtator 2009 në Gjykatën e Lartë. Arsyeja e pretenduar ishte se Mediu e kishte rifituar sërish imunitetin pasi ishte betuar si deputet në shtator 2009.

SPAK iu drejtua Gjykatës së Lartë duke i kërkuar rrëzimin e Gjykatës së Lartë të vitit 2009, me argumentin se Kuvendi e kishte kufizuar vetë me ligj imunitetin e deputetit për ndjekjen penale në vitin 2012, pra Mediu nuk e gëzonte më imunitetin që kishte në shtator 2009. Gjithashtu, sipas SPAK mbyllja e dosjes së Mediu është bërë nga Gjykata e Lartë në fazën e kërkesave parapaka dhe jo pas shqyrtimit të pronave.

Me 1 qershor të vitit 2021, Gjykata e Lartë vendosi deklarimin e moskompetencës lëndore për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për të hapur dosjen e Gërdecit. Gjykata e Lartë vendosi të dërgojë dosjen për kompetencë në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO e Shkallës së Parë).

Në 27 korrik të vitit 2021, GJKKO-ja e Shkallës së Parë, me gjyqtar Erjon Çela, vendosi të rrëzonte kërkesën e SPAK për hapjen e dosjes së Gërdecit, me argumentin se prokuroria kishte pasur 10 vite kohë për të ushtruar ndjekjen penale dhe nuk e ka bërë një gjë të tillë, prokuroria nuk i ka kërkuar sërish Kuvendit heqjen e imunitetit të Mediut pas 14 shtatorit 2009 etj. Vendimi i diskutueshëm i gjyqtarit Erjon Çela për ndalimin e SPAK që të nxjerrë para drejtësisë Fatmir Mediun për Gërdecin shënoi zhgënjimin e parë të madh tek drejtësia e re. Por, ky vendim nuk e shpëtoi Fatimir Mediun, siç e shpëtoi gjykata nën influencën e Sali Berishës në vitin 2009. SPAK e ankimoi vendimin në Apel.

Në 14 korrik të vitit 2021, Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi rrëzimin e vendimit të gjyqtarit Erjon Çela, revokimin e vendimit të Gjykatës së Lartë vitit 2009 që shpëtonte Mediun dhe kalimin e dosjes së Mediut për Gërdecin në duart e SPAK-ut. Këtë herë ishte Fatmir Mediu që do të ankimonte vendimin e Apelit në Gjykatën e Lartë.

Në 21 dhjetor të vitit 2021, Gjykata e Lartë la në fuqi si të ligjshëm vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelimit, që i jepte të drejtë SPAK të hapte dosjen e Gërdecit. Gjykata e Lartë rrëzoi të gjitha pretendimet e Fatmir Mediut dhe të avokatëve të tij kundër vendimit të Gjykatës së Apelit.

Mes pretendimeve ishte se SPAK nuk ka regjistruar një çështje të re për Fatmir Mediun, për të mbështetur kërkesën për hapjen e dosjes së Gërdecit. Sipas Mediut dhe përfaqësuese të tij kërkesa për hapjen e dosjes së Gërdecit është përsëritur disa herë gjatë këtyre 12 viteve. Sipas Mediu jemi para një rasti të gjykuar. Gjithashtu sipas tij, vendimi i Gjykatës së Lartë në shtator 2009 për pushimin e çështjes është një vendim themeli dhe jo i një gjyqtari paraprak. Sipas Mediut për Gërdecin nuk kanë dalë prova të reja për të hapur dosjen dhe kërkuar rigjykim. Mediu pretendon se ndjekja penale për veprën penale për të cilën e ka akuzuar prokuroria në 2009 është parashkruar pasi kanë kaluar 12 vite nga koha kur ka ndodhur fakti penal. Në këto kushte, Mediu kërkoi rrëzimin e vendimit të Gjykatës së Lartë në Gjykatën Kushtetuese.

Me 19 korrik të vitit 2022, Gjykata e Lartë vendosi që të rrëzonte të gjithë pretendimet e Fatmir Mediut kundër vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila linte në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit, gjykatë e cila i jepte të drejtë SPAK për të nisur ndjekjen penale ndaj Mediut për Gërdecin.

SPAK tashmë është para dy rrugëve; Dërgimin e dosjes në Gjykatën Speciale të Shkallës së Parë, duke kërkuar dënimin e Fatmir Mediut, me ato akte që u pushua çështja në 2009 nga Gjykata e Lartë. Pra, SPAK, me të njëjtat aktet që kishte Prokuroria e Përgjithshme në vitin 2009, mund të kërkojë në gjykatë nisjen e procesit gjyqësor dhe dënimin e Mediut.

Por, SPAK mund edhe që të thellojë hetimet, për të identifikuar përgjegjës të tjerë, të cilët mund të qëndrojnë pas Fatmir Mediut, në rastin konkret të Sali dhe Shkëlzen Berishës, të cilët në bazë të një grupi provash që janë injoruar nga prokuroria në 2009, janë të përfshirë në prapaskenë.(Shqiptarja.com)