Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka reaguar për herë të parë pas lajmeve për një dorëheqje të mundshme nga ana e tij. Për Report TV ai është shprehur se nuk e ka ndërmarrë një akt të tillë dhe nuk ka ndërmend ta bëjë as në ditët në vijim. “Nuk e kam dhënë dorëheqjen. Nuk kam ndërmend të dorëhiqem”, raportohet të ketë thënë Gledis Nano.
Ai e mban këtë post që prej tetorit të vitit të kaluar, kur zëvendësoi ish-kryepolicin Ardi Veliun. Lajmi për dorëheqjen e tij qarkulloi sot në media, ndërsa në rrugë zyrtare nuk ka pasur asnjë reagim as nga Nano dhe as nga institucioni që ai drejton. Report TV bën me dije se burime jo zyrtare informojnë se brenda javësh, qeveria mund të emërojë drejtorin e ri, teksa ende nuk janë të njohura arsyet e zëvendësimit.
Report TV mëson se për rreth 90 minuta në zyrën e ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi ka qenë kreu i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP, ish-SHÇBA) Muhamet Rrumbullaku, i cili disa herë është përfolur si personi qe do emërohet në krye të Policisë së Shtetit. Mirëpo në një komunikim për Report TV, ai e ka mohuar që do marrë drejtimin e Policisë së Shtetit, në vend të Nanos, duke thënë se nuk është pjesë e Policisë së Shtetit.