Komisioni Evropian ka paralajmëruar edhe një herë Shqipërinë që të mos prezantojë skemën e saj të pasaportës së artë pasi, sipas Komisionit, ajo bie ndesh me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe përbën rrezik për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Qeveria shqiptare po kërkon investitorë të huaj të cilët mund të sjellin paratë e tyre në Shqipëri dhe të përfitojnë shtetësinë shqiptare. Përmes një VKM-je, qeveria ka vendosur që një pjesë të procedurave t’i japë me koncension.
Dhjetëra vende të botës, duke përfshirë edhe ato të Bashkimit Evropian ofrojnë programe për përfitimin e lejes së qëndrimit e më pas shtetësisë, në këmbim të investimit në këto shtete.
Pavarësisht paralajmërimeve të Komisionit të BE-së, autoritetet në Shqipëri prezantuan më parë ndryshime të reja në ligjin për partneritetin publik-privat (PPP) duke përfshirë në ligj edhe skemën e Pasaportës së Artë, ndërkohë që aktualisht qeveria shqiptare po planifikon të punësojë firma private për promovojnë skema të tilla në vende të tjera.
Edhe pse programi Shtetësia për Investim është konsideruar si një portë për shumë afera të paligjshme, sipas autoriteteve në Shqipëri, kjo skemë nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Sipas tyre, dhënia e kontrolleve të shtetësisë dhe sigurisë do të mbahej nën juridiksionin shtetëror.
Gjithashtu, disa nga zyrtarët e qeverisë shqiptare kanë hedhur poshtë kritikat e autoriteteve të BE-së për një skemë të tillë duke shtuar se ajo do të ishte pa korrupsion, ndërsa qëllimi kryesor i saj është tërheqja e ndërkombëtarëve të pasur.
Por Brukseli ka një mendim tjetër. Sipas raportit të fundit të progresit të Shqipërisë, të prezantuar vitin e kaluar, vendosja e një skeme të tillë përbën rrezik ndër të tjera për sigurinë e vendit.