Konsumi privat i popullatës u rrit me 8.6% në tremujorin e parë të vitit, bëri të ditur Banka e Shqipërisë.

Sipas BSH-së, kjo rritje u mbështet nga zgjerimi i punësimit dhe pagave, nga reduktimi i kufizimeve të lëvizjes, si dhe nga kushtet e favorshme financiare dhe rritja e kredisë.
Bazuar në tregues indirektë, rritja e konsumit privat gjatë kësaj periudhe ishte e pranishme në të gjitha kategoritë kryesore të tij. Ekonomitë familjare rritën shpenzimet për mallra konsumi, blerje të mëdha dhe shërbime.

Banka Qendrore vëren se, treguesit e disponuar edhe për tremujorin e dytë të vitit sugjerojnë për vijim të rritjes së konsumit privat, por me ritme më të ulëta.

“Të dhënat sasiore nga volumi i mallrave të importuara për qëllime konsumi në tremujorin e dytë mbështesin këtë tendencë”, thekson BSH-ja. Ndërsa ngadalësimi i ritmit të rritjes mbështet tek të dhënat e vrojtimit të besimit konsumator, ku besimi konsumator mbetet në nivele të ulëta, nën mesataren historike, i ndikuara nga pasiguria në nivele ende të larta.

Banka e Shqipërisë parashikon që vijimi i ritmit pozitiv të rritjes së kredisë konsumatore dhe i besimit në sektorin e shërbimeve, do të mbështesin rritjen e konsumit përgjatë 2022.