Me një hapësirë 1200 metra katrorë, “Kei” është kopshti dhe çerdhja më e re e Tiranës në Njësinë 7, që do presë këtë shtator 220 fëmijë me kushte shumë të mira, mjedise rekreative dhe staf të përkujdesit shëndetësor e social.
 
Kryebashkiaku Erion Veliaj, tha se po bëhen përgatitjet e fundit për të pritur vogëlushët në 12 shtator dhe se fëmijët janë prioriteti parësor për Bashkinë e Tiranës. “Sa herë hapet një kopësht i ri është një ditë e jashtëzakonshme për Tiranën. Ne funksionojmë si një familje e madhe. Në qoftë se në një familje themi, fëmijët duhet t’i sistemojmë të parët, pastaj të rriturit, ashtu duhet të funksionojë edhe familja e madhe e Bashkisë së Tiranës me 1 milionë banorë. Investimi në kopshte e çerdhe ka qenë një revolucion i jashtëzakonshëm në Tiranë”, u shpreh ai, duke theksuar faktin se është vendosur një standard i ri. “Në këtë kopësht kemi ashensorët për fëmijët me aftësi të veçanta, kemi psikologë, sallën e infermieres, kemi edhe një hapësirë private të takimit me prindër, ku ata mund të informohen privatisht mbi progresin e fëmijës,”shtoi ai.
 
Veliaj tha se “Kei” e çon në 86 numrin e kopshteve dhe çerdheve të reja të ndërtuara në Tiranë.
 
“Më vjen mirë që ky kopsht do të pasohet me 7 kopshte dhe çerdhe të tjera në shtator, për të shkuar në 40 çerdhe dhe 46 kopshte; në total 86 institucione arsimore, të cilat jenë paja e Tiranës. Në fund të ditës, askush nuk do të na vlerësojë nga debatet politike dhe fryma toksike e ndasisë. Secili prej nesh, kur të mbarojë zhurma, do të gjykohet nga veprat që la pas dhe nga çfarë pune konkrete bëri në terren. Më vjen mirë që kjo administratë do të mbahet mend si administrata e kopshteve, çerdheve e shkollave më moderne, që nga koha e çlirimit të Tiranës, por oreksi vjen duke ngrënë. Tani që kemi bërë një punë të jashtëzakonshme, do të doja që mandatin e tretë ta çojmë akoma në një nivel më lartë. Nëse në 2015 kishim minimumin e mundshëm për të rregulluar të gjithë atë katrahurë që gjetëm në çerdhe dhe në kopshte që ngjanin si stalla dhe burgje, tani nuk shkojmë tek emëruesi i përbashkët më i ulët, tani shkojmë tek steka më e lartë që janë kopshtet edhe çerdhet e reja,” deklaroi kreu i Bashkisë.
 
Veliaj nënvizoi edhe kultivimin e një diete mesdhetare në kopshte e çerdhe për tu fokusuar në një jetë të shëndetshme.