Ndryshimet e forta klimatike janë rrezik për ekonominë në dekadat e ardhshme. Në këtë konkluzion kanë dalë Ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar në vlerësimin më të fundit të bërë për Klimën, ku thuhet se sfidat që vijnë nga ndryshimet klimatike janë edhe më kritike në kushtet kur kostot e ushqimeve dhe të karburantit janë rritur, prandaj sugjerohen investime në energjinë e gjelbër, si panele diellore, parqe eolike etj.
“Ndryshimet klimatike janë një nga sfidat më kritike të politikave makroekonomike dhe financiare me të cilat do të përballen anëtarët e FMN-së në dekadat e ardhshme. Rritjet e fundit e kostos së karburantit dhe ushqimit dhe rreziqet që rrjedhin nga trazirat sociale, nënvizojnë rëndësinë e investimit në energjinë e gjelbër dhe rritjen e elasticitetit ndaj goditjeve”, thotë FMN.Për të rritur investimet në energjinë e gjelbër Fondi Monetar Ndërkombëtar thotë se duhen shfrytëzuar më shumë investimet private, e sidomos në tregjet dhe ekonomitë në zhvillim. Madje ekspertët vlerësojnë se investimet aktuale në këtë sektor janë më të pakta sesa nevoja reale.
“Do të kërkohen investime masive globale për të adresuar sfidën klimatike dhe dobësitë ndaj goditjeve. Vlerësimet variojnë nga 3 trilion dollarë në 6 trilion dollarë në vit deri në vitin 2050. Niveli aktual në rreth 630 miliardë dollarë është vetëm një pjesë e vogël e asaj që nevojitet realisht, dhe shumë pak shkon për vendet në zhvillim”, vijon më tej raporti.
Për të rritur investimet private në energjinë e gjelbër FMN sugjeron që të stimulohen investitorët me politika, pasi investimi në këtë industri nuk e ka të garantuar kthimin e tij, prandaj sugjerohet edhe bashkëpunimi i sektorit publik me atë privat.
“Përzierja e financave të sektorit publik dhe privat është e dobishme për të eliminuar rrezikun e këtyre investimeve për kapitalin e sektorit privat në përgjithësi. Mendoni për partneritete publike-private ose garanci shumë-sovrane që ndihmojnë në arritjen e raporteve më të larta”, thotë FMN.
Këto sugjerime vijnë në kushtet e krizës globale të energjisë, që është thelluar më shumë pas luftës së nisur në Ukrainë. Realizimi i këtyre investimeve do të ulte edhe varësinë që ka bota ndaj prodhimit të energjisë përmes HEC-eve dhe TEC-eve.