Rreziku për një konflikt të ri mes Kosovës dhe Serbisë është i lartë, i ka thënë gazetës italiane “La Repubblica” Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Duke parë atë çfarë Rusia ka bërë me Ukrainën, Kurti tha se “do të isha i papërgjegjshëm po të shprehesha ndryshe”.
“Nuk do të thoja që [rreziku] është tejet i lartë, për shkak edhe se kemi kontingjentin e NATO-s këtu, por sigurisht se i lartë”.
Kryeministri tha se “ne jemi demokraci që në kufij kemi një autokraci”.
“Para pushtimit të Ukrainës, mundësitë ishin të pakta, tani situata ka ndërruar”.
“Nëse kemi një episod të dytë, për shembull në Transnistri, atëherë gjasat që një luftë e tretë të zhvillohet në Ballkanin Perëndimor, dhe në Kosovë në veçanti, do të jenë shumë të larta”, u shpreh ai.
Kurti foli edhe për masat e reja reciproke ndaj Serbisë. “Konvertimi i targave të vendosura nga Slobodan Milosheviçi. Ky është vendimi i qeverisë sime. I kanë dy muaj kohë”.
Në lidhje me sulmet ndaj policisë së Kosovës në veri, Kurti tha se prokuroria është duke e hetuar çështjen.
“Ata ishin njerëz në listën e pagave të Beogradit, të cilët punojnë në strukturat ilegale në veri të Kosovës. Disa prej tyre ishin vërtet kriminelë, pasi vitin e kaluar përfunduan në listën e zezë të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara”.
“I referohem Radoiçiqiç dhe Veselinoviçit. Ishte deja vu: ajo metodë u përdor nga serbët tashmë në fillim të viteve ’90 gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë. Por Kosova tani është një vend demokratik, ata mund të bëjnë shumë pak. Ata janë të frustruar sepse ekonomia jonë, edhe pse nuk na njohin si shtet, ajo po lulëzon”, tha mes tjerash kryeministri.
“Serbët kanë 48 baza rreth Kosovës. Protestat nuk ishin spontane, por të organizuara nga Beogradi me mbështetjen e Rusisë”, ka thënë mes tjerash Albin Kurti.