Kryeministri Edi Rama në dëgjesën publike kërkuar nga federatat sportive për problematikën e basteve online në të zezë, është shprehur se bie deri diku dakord me propozimin për formalizimin e tyre.

Kreu i qeverisë theksoi se është një ndërhyrje e arsyeshme kur bëhet fjalë për të hequr nga duart e “atyre që ushqejnë gjithë të keqen në vend, më shumë se 5 milionë euro në vit”, fond të cilin qeveria ia ka akorduar këtë vit KOKSH-it.

“Në aspektin buxhetor kjo është një ndërhyrje e arsyeshme se heq nga ekonomia e zezë dhe sjell në buxhetin e shtetit një shumë jo të vogël. I kemi dhënë një shumë masive 5 milionë si asnjëherë më parë komitetit. E kuptoj shumë mirë Fidelin se është pyetja po vitin tjetër. Se nëse japim çdo vit nga 5 milionë duhet ta heqim diku tjetër, pse mos t’ia heqim nga duart atyre që më shumë se 5 milionë marrin dhe ushqejnë gjithë të keqen”, tha Rama.

Rama më pas iu drejtua dhe AKEP-it. Ai tha se ky institucion ka qenë kisha apo xhamia ku jemi përpjekur të falemi të gjithë për të gjetur zgjidhjen magjike të bllokimit, por xhungla dixhitale është e pamundur për të vendosur sinjalistikë.

Kreu i qeverisë gjithashtu shtoi se nëse legalizimi i basteve bëhet, nuk do të ketë më hapje të sallave të lojërave të fatit, por do të bëhet formalizimi i tyre dhe lejimi i ushtrimit online.

“Ne s’do kthehemi në asnjë mënyrë te sallat, te lojërat, te batërdia e lojërave të fatit, as për baste, as për makineta , as për dreq e shejtan. E vetmja konsideratë është për bastet sportive online dhe për asgjë tjetër. Pavarësisht se ka shumë diskutim mbi këtë se duhet e kjo e duhet dhe ajo. Jo më salla parazitësh e parazitizmi në Shqipëri ku mblidhen njerëzit e harxhojnë orë të tëra e luajnë për të hedhur në erë edhe ato kursime që prindërit ua japin fëmijëve në dorë nuk do ketë”, tha Rama.

FJALA E PLOTË:

Por, dua të them dy gjëra si reagim pas fjalës së dy personave kryesorë që përfaqësojnë të gjitha organizatat sportive të Shqipërisë. E para jam shumë dakord, nëse ne e kthejmë kokën pas se ku ishim, jemi sot si dita me natën. Por nëse e shohim përpara se ku duhet të jemi, jemi sot si nata me ditën. Kemi pasur bashkëpunim shumë pozitiv me Federatën Shqiptare të Futbollit, kemi arritur të sjellim në Tiranë një finale europiane, por nevojat janë shumë më tepër sesa ato që kemi plotësuar. Kemi bërë palestra kudo në shkolla dhe kemi mundësi të hyjmë në kalendarin e parë kombëtar në nivel bashkish. Kemi regjistruar rreth 650 skuadra deri tani në futboll, basketboll, volejboll, me të gjithë bazën materiale.

I kemi dhënë një shumë masive 5 milionë si asnjëherë më parë komitetit. E kuptoj shumë mirë Fidelin se është pyetja po vitin tjetër. Se nëse japim çdo vit nga 5 milionë duhet ta heqim diku tjetër, pse mos t’ia heqim nga duart atyre që më shumë se 5 milionë marrin dhe ushqejnë gjithë të keqen. Reflektimi i vetëm është se doja t’ia jepja fjalën zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të policisë, se ka qenë një nga pikat që kemi diskutuar intensivisht dhe drejtori realisht ka investuar shumë me aksione të suksesshme. Që kur ka nisur ky debat, unë kam parë anën tjetër, se jam konsultuar me dy tre kryeministra dhe presidente të vendeve që i kanë ndaluar komplet.

Dhe janë përgjigjur sinqerisht se online është i pandalueshëm. Vazhdon edhe në ato vende, që në natyrën e tyre të ligjeve morale e kanë të ndaluar. Rezulton e pamundur që të bllokohet sistemi. Kjo më bën edhe mua të prirur të jem i hapur ndaj kësaj zgjidhje sepse është gjynah që kjo veprimtari të zhvillohet nga duart e njerëzve që shkelin ligjin, ku kanë figuruar aktiv me përfitime krejt të paarsyeshme elementë me profil të lartë në krimin e organizuar.