Policia e Sarandës procedoi penalisht pronarin e një subjekti, si dhe sekuestroi 132 çadra dhe shezlongë.
“Në kuadër të planit operacional për kontrollin e vijës bregdetare dhe lirimin e hapësirave bregdetare të zaptuara në mënyrë të kundërligjshme, nga subjekte të ndryshme që vendosin çadra dhe shezlongë, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasin A. L., 36 vjeç (pronari i subjektit), për veprat penale “Pushtimi i tokës” dhe “Fshehja e të ardhurave””, thuhet në njoftimin e Policisë.
Shërbimet e Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake Sarandë, kanë liruar hapësirën publike, duke hequr 132 çadrat dhe shezlongët, që ishin vendosur pa lejen përkatëse, në vendin e quajtur “4 Ishujt”, Ksamil.
Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprime të mëtejshme.