Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi ka marrë pjesë në homazhet e zhvilluara në nder të shkrimtarit të njohur Nasho Jorgaqi i cili u nda nga jeta një ditë më parë, në moshën 90-vjeçare.
Kushi ka ndarë disa foto në rrjetet sociale ku shkruan se Jorgaqi do të mbahet mend për vepra të mirënjohura dhe si skenarist i filmave të dashur për të gjithë shqiptarët.
Statusi i plotë i ministres:
Nderuam sot figurën e shkrimtarit, pedagogut dhe akademikut të shquar Nasho Jorgaqi, i cili ka dhënë një kontribut të vyer në fushën e arsimit, shkencës dhe kulturës në Shqipëri.
Ai do të mbahet mend jo vetëm nga studentët dhe bashkëpunëtorët, por edhe nga lexuesit e tij për veprat e mirënjohura, si “Portrete dhe gjurmime”, “Antologji e mendimit estetik shqiptar”, “Udhëtim me Fan Nolin”, “Estetika e fjalës shqipe”, etj.
Gjithashtu, ai do të mbesë në kujtesën tonë si skenaristi i filmave të dashur për të gjithë shqiptarët “Tomka dhe Shokët e tij” dhe “Mimoza Llastica”.