Zonat e mbrojtura në qarkun e Gjirokastrës vitet e fundit janë kthyer në destinacione turistike të preferuara për turistët vendas e të huaj, sidomos në sezonin veror.
Administrata e Zonave të Mbrojtura Gjirokastër tha sot për ATSH-në se “në periudhën 1 janar – 31 korrik zonat e mbrojtura u vizituan nga 43 356 vizitorë nga të cilët 36 115 vendas dhe 7241 të huaj”.
Sipas ADZM Gjirokastër, turistët kryesisht ishin nga Franca, Italia, Gjermania, Polonia, Çekia etj.
Vendet kryesore të vizituara nga turistët janë “Ujërat Termale të Bënjës”, Parkun Kombëtar “Bredhi i Hotovës – Dangëlli”, në Peshtan dhe Fushën e Çajupit të parkut natyror “Zagori”, parku natyror “Lugina e lumit Vjosa”, etj.
Që prej nisjes së sezonit veror specialistët e AdZM Gjirokastër iu dhanë turistëve informacione për këto zona të mbrojtura.
Zonat e Mbrojtura kanë potenciale të larta për zhvillimin e turizmit. Këto zona vlerësohen si destinacionet turistike më tërheqëse të qarkut Gjirokastër, në të cilat mund të zhvillohen aktivitete të larmishme.
Destinacionet turistike në qarkun e Gjirokastrës janë të shumta dhe turistët kanë mundësi të zgjedhin ku t’i kalojnë disa ditë pushimi larg zhurmave të qytetit.