Më shumë se 80.000 turistë janë bllokuar në qytetin Sanya në Kinë, pasi autoritetet kanë marrë vendim për izolimin e tij për shkak të shpërthimit të koronavirusit.
Autoritetet kineze kanë anuluar të gjitha fluturimet dhe udhëtimet me tren nga Sanja, që ndryshe njihet edhe si “Havai i Kinës”, pasi të shtunën janë konfirmuar 263 raste pozitive.
Të gjithë udhëtarët duhet të kenë pesë teste negative në koronavirus, të kryera në shtatë ditët e fundit, ashtu që t’iu mundësohet dalja nga qyteti.
Kina është ndër shtetet e pakta në botë që ende zbaton politikën e “zero rasteve me COVID”.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, ky shtet ka regjistruar më pak se 15.000 vdekje me koronavirus prej shpërthimit të pandemisë.
Megjithatë ka shqetësime për ndikimin e kufizimeve kaq të ashpra në ekonomi.
Kufizimet në Sanja, qytet në jug të ishullit Hainan, janë bërë të ditura në pikun e sezonit turistik.
Shërbimet thelbësore, sikurse dyqanet ushqimore dhe farmacitë mbeten të hapura, mirëpo qendrat e argëtimit janë mbyllur prej javës së kaluar, ka raportuar agjencia e lajmeve AFP.
Sanja nuk është qyteti i vetëm kinez që i është nënshtruar izolimit në muajt e fundit.
Rreth një milion njerëz në një lagje të Vuhanit – vend ku është identifikuar koronavirusi për herë të parë më 2019 – janë izoluar pas identifikimit të katër rasteve asimptomatike me koronaviurus.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e pati shpallur koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020.
Deri më tani janë regjistruar mbi 6 milionë njerëz të vdekur me këtë virus.