Nga Denis Dyrnjaja

Ashtu sikurse kishte paralajmëruar Ilir Meta është hedhur direkt në aksion. Pas 24 korrikut, ditë kur la pas 5 vitet e tij si president republike, Meta është në veprim intensiv për të gjallëruar opozitën e vënë në gjumë për më shumë se 8 vjet nga Lulëzim Basha. Partisë që e themeloi vetë i ndryshoi emrin nga LSI në Partia e Lirisë. Ndryshimi i emrit u kombinua edhe me ndryshime në strukturën drejtuese dhe statutore të partisë.

Deri këtu gjithçka bën sens, në kontekstin politik dhe qëllimin për të krijuar një impakt elektoral në kushtet e reja të përballjes me mbipushtetin e Edi Ramës. Çka nuk ka ndryshuar, madje duket edhe më shumë i rënduar e deformuar është leksiku publik dhe politik i Metës. Ish Presidenti, që në takimin e fundit me strukturat Partisë së Lirisë për Tiranën foli më shumë si ish kryeministër, përdori një terminologji përveç se të frustruar edhe shumë agresive dhe jo të përshtatshme për staturën e një shtetari me eksperiencë të madhe e të gjerë institucionale. Terma të formës…unë i bie më fortit…apo unë e thyej në mes…nuk bashkëudhëtojnë me staturën e një politikani të maturuar në funksionet më të larta e të rëndësishme të shtetit.

Forma dhe përmbajtja e mesazheve të Metës për të treguar dhe transmetuar vendosmëri dhe besim në strukturat partiake dhe përtej tyre, tejkaluan limitet dhe kaluan në zhargon rruge e komukim dukshëm anormal, duke vënë në pozitë shumë prej pjesëmarrësve në takim, një pjesë e të cilëve nuk e kanë të përshtatshëm, për rrjedhojë edhe të natyrshëm atë lloj komunikimi. Shpesh gjatë ligjëratës së Metës vihej re një lloj kontraktimi e përshtjellimi deri në befasie a surprizimi në fytyrat e shumë pjesëmarrësve në sallën, ku duartrokitjet që ndodhën në pak raste ishin disi të sforcuara dhe për deklarata totalisht populiste e pa themel. Idea se po frikëson Ramën dhe shpurën e tij qeveritare përmes paralajmërimeve publike, u duk se tulati dhe shkaktoi më shumë frikë e konfuzion te bashkëpunëtorët sesa te ata të cilëve iu adresoheshin mesazhet.

Por përtej gjuhës së rënduar të kërcënimeve, Meta ndoshta pa dashjen e tij ose në euforinë e fjalimit, pohoi se ndryshe ngasa predikon për një shtet ligjor, ka parasysh një shtet po aq autoritar dhe autokrat ku hija e njëshit i bën memecë gjithë të tjerët. Rasti i berberit ku qethej dikur kur ishte kryeministër e shfaqi dukshëm këtë element ndërsa rrëfente eksperiencat e bashkëqeverisjes me Edi Ramën. Meta foli edhe si prokuror edhe si gjykatës, edhe si urdhërues edhe si vendimmarrës në shtetin e ri të imagjinuar dhe promovuar prej tij. Mesazhi ishte i qartë, referuar edhe legjendës së lagjeve të Tiranës, se beteja që pritet të ndodhë, nuk është beteja për shtetin ligjor, por për sfidën kush është më i forti mes langove të politikës sonë.
Meta me ose pa dashjen e tij na shpërfaqi nivelin e rëndomtë të atyre që kanë patur, kanë dhe pretendojnë të kenë fatet e shqiptarëve në duart e tyre. Kjo gjuhë, kjo formë dhe kjo mënyrë që i vjen si ofertë shqiptarëve është edhe një autogol politik ndërkohë. Ajo çon ujë në mullirin politik e propagandistik të Ramës, i cili ska nevojë të replikojë fare pasi, monologu Ilir Metës, ishte autoreplika më e mirë që i duhet dhe i shërben atij. Ajo retorikë e Metës nuk është retorika e gjuha e Silva Cakës, Agim Neshos, Edmond Panaritit, Endrit Brahimllarit e shumë të tjerëve që me siguri më shumë se forcë e besim brenda vetes kanë ndjerë zhgënjim. Fytyrat e tyre e tregonin qartë sikletin që ndjenin, por që iu duhej ta kamuflonin dhe të mos e shprehnin.

Nëse qëllimi është pushteti, qëllimi justifikon mjetin. Koha do të provojë nëse Meta ka zgjedhur mjetin e duhur për të arritur pushtetin. Në fytyrat e bashkëpunëtorëve të tij nuk duket se ky mjet i zgjedhur nga lideri i tyre është mënyra e duhur, por në partitë ku komandojnë njishat nuk ka vend për të korrigjuar, por vetëm për të aprovuar. Edhe në këtë rast nuk pati surpriza, të gjithë ishin dakord me udhëheqësin!