Produktet e identifikuara si produktet shqiptare të origjinës do të jenë tashmë të mbrojtuar me akte ligjore dhe nënligjore. Lajmin e bëri të ditur ministrja e bujqësisë dhe zhvillimit rural, Frida Krifca nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook, e cila nënvizoi premtimin e mbajtur që në krye të marrjes së detyrës së saj.
“Krenarë të ndajmë lajmin se pas një kalvari të gjatë kërkimi dokumentues e hulumtues të traditës dhe teknologjive ushqimore, të plotësuar me aktet ligjore dhe nënligjore, tashmë do të mbrojmë produktet e identifikuara si produktet tona shqiptare të origjinës- Produkte me Emërtim Origjine të Mbrojtur (EOM apo GI)”.
Ministrja Krifca njoftoi regjistrimin e parë me produktin e zonës së Kelmendit, djathin “Mishavinë”.
“E fillojmë këtë regjistrim të parë me një produkt të Kelmendit- djathin “Mishavinë”. Një produkt më shumë se 100-vjeçar, të cilin duke e mbrojtuar si Produkt Origjine të Mbrojtur i ruajmë identitetin shqiptar të tij por dhe i japim vlerë.”
Nëpërmjet këtij angazhimi nxitet akoma më shumë zhvillimi bujqësor, rural dhe turistik, në drejtim të ruajtjes së traditës dhe përmirësimit të cilësisë së jetës në zonat rurale, përmes gjenerimit të të ardhurave nga shtimi i vlerës së produkteve cilësore.